**Hashim Thaçi heq dorë nga vizitat në pritje të aktgjykimit; mbrojtja jep detaje në përgjigjen për ZPS**

Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka hequr dorë nga kërkesat për vizita në pritje të aktgjykimit të shkallës së parë, i cili pritet të shpallet më 16 shtator.

Ky zhvillim u bë i ditur përmes detajeve të dhëna nga gazetarja Rina Mujku, të cilat u shpalosën në përgjigjen e dytë të ekipit mbrojtës të Thaçit drejtuar Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS) lidhur me çështjen e ofertës prej 50.000 eurosh për lirimin me kusht.

Përveç kësaj, mbrojtja bëri të ditur për herë të parë se Thaçi ka tërhequr kërkesën për rishikimin e vendimit të gjyqtarit të vetëm, Kristopher Gosnell. Ky vendim, i marrë rreth një vit më parë, ndalonte Thaçin të merrte vizita nga 10 persona të caktuar.

Fillimisht, lista përfshinte 11 persona të cilëve u ishte ndaluar ta vizitonin Thaçin. Megjithatë, pasi masa u hoq për njërin prej tyre, Thaçi, qysh në janar të këtij viti, kur u mor vendimi i fundit i gjyqtarit Gosnell, hoqi dorë nga kërkesa për rishikim.

Sipas mbrojtjes së Thaçit, arsyeja pas këtij vendimi është se ai nuk ka për qëllim të realizojë asnjë vizitë apo bisedë me asnjërin prej këtyre personave. Rrjedhimisht, kjo shërben si argument se ai nuk synon të pengojë procesin gjyqësor, siç pretendon prokuroria. Kjo është një ndër arsyet kryesore pse mbrojtja ka kërkuar lirimin me kusht të Thaçit, duke theksuar se ai nuk ka pasur asnjëherë synim të takohet me këta 10 persona as në qendrën e paraburgimit, dhe i njëjti qëndrim do të mbahej edhe nëse do të lirohej me kusht.