Dy persona me precedentë të theksuar penalë, të cilët kishin shkelur masën e sigurisë “arrest në shtëpi” dhe kishin udhëtuar nga Tirana në Vlorë, janë arrestuar në flagrancë ndërsa tentonin të vidhnin një banesë.

Policia e Vlorës ka vënë në pranga dy shtetas, të cilët u kapën duke tentuar të hapnin derën e një banese. Mësohet se të dy ishin me masën e sigurisë “arrest në shtëpi”, të caktuar për të njëjtën vepër penale, dhe kishin shkelur atë duke u zhvendosur nga Tirana drejt Vlorës.

Arrestimi i shtetasve A. G., 48 vjeç, dhe A. H., 46 vjeç, të dy banues në Tiranë, erdhi pas operacionit policor të koduar “Again”. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Vlorë, bazuar në informacione operative për persona që dyshohej se kryenin vjedhje në banesa, organizuan këtë operacion.

Ata u kapën në flagrancë në lagjen “Bashkimi”, teksa me pajisje të posaçme po përpiqeshin të hapnin derën e një banese me qëllim vjedhjen. Nga verifikimet rezultoi se të dy kishin thyer masën e sigurisë “arrest në shtëpi” dhe ishin zhvendosur për të vijuar veprimtarinë e tyre kriminale.

Si provë materiale, Policia sekuestroi pajisje të ndryshme të destinuara për hapjen e bravave dhe kasafortave, automjetin tip “Mercedes-Benz” që përdornin autorët, si dhe dy celularë.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë, për veprat penale “Vjedhja”, mbetur në tentativë, dhe “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”.