Trepça zyrtarizon përforcimin amerikan, James Graham
Klubi i basketbollit Trepça, kampioni aktual i Kosovës, ka zyrtarizuar përforcimin më të ri në radhët e veta.
Bëhet fjalë për basketbollistin amerikan James Graham, i cili i bashkohet skuadrës mitrovicase pas eksperiencës së tij me klubin holandez Rotterdam City Basketball.
Gjatë sezonit të kaluar, Graham zhvilloi paraqitje mbresëlënëse me Roterdamin në ligën BNXT, ku në 32 ndeshje regjistroi mesatarisht 17.7 pikë dhe 6.3 kërcime. Ai gjithashtu demonstroi saktësi prej 42% në gjuajtjet nga vija e trepikëshit.
Mbetet të shihet se si do të përshtatet Graham me basketbollin kosovar, teksa debutimi i tij me fanellën e Trepçës pritet të ndodhë në ndeshjet e ardhshme.
