Podujevë: I mituri plagos aksidentalisht vëllanë 10-vjeçar me armë zjarri

Një ngjarje tragjike ka ndodhur të premten në Podujevë, ku një fëmijë 10-vjeçar është plagosur me armë zjarri nga vëllai i tij i mitur, gjatë një manipulimi aksidental. Fatmirësisht, fëmija ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Sipas raportit të Policisë së Kosovës, ngjarja ka ndodhur pasi i mituri kishte marrë një armë AK-47. Gjatë manipulimit me të, ai ka shkrepur një fishek, i cili ka goditur vëllanë e tij 10-vjeçar.

Fëmija i plagosur është dërguar menjëherë për trajtim mjekësor në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) dhe aktualisht gjendja e tij është jashtë rrezikut për jetën.

Gjatë kontrollit të banesës, Policia ka gjetur dhe konfiskuar armën AK-47, së bashku me një karikator dhe 20 fishekë, si prova materiale.

Në raportin 24-orësh të Policisë thuhet se një ankues (gjyshi i fëmijëve) ka informuar se nipi i tij i mitur ka marrë armën AK-47 dhe, gjatë manipulimit, ka shkrepur një plumb që ka goditur vëllanë e tij 10-vjeçar. Raporti konfirmon gjithashtu se i plagosuri është dërguar në QKUK dhe është jashtë rrezikut. Armët dhe municionet janë konfiskuar.

Lidhur me rastin, është kontaktuar prokurori kujdestar i departamentit për të mitur, i cili ka urdhëruar inicimin e rastit si vepër penale. I dyshuari i mitur është liruar në procedurë të rregullt, ndërsa hetimet vazhdojnë.