Trump: Nuk do të ketë marrëveshje me Iranin pa çmontimin e programit bërthamor

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, i ka theksuar kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, se Uashingtoni do të mbajë një qëndrim të palëkundur gjatë negociatave me Iranin për programin e tij bërthamor.

Sipas raportimeve të kanalit izraelit Channel 12, Trump ka deklaruar se çdo marrëveshje përfundimtare duhet të parashikojë çmontimin e plotë të programit bërthamor të Iranit dhe largimin e të gjithë uraniumit të pasuruar nga territori i tij.

Burime pranë presidencës amerikane bëjnë me dije se Trump ka nënvizuar se nuk do të nënshkruajë asnjë marrëveshje që nuk përmban këto kushte thelbësore.

Kjo deklaratë vjen në një kohë kur negociatat mes SHBA-së dhe Iranit janë drejt finalizimit të një marrëveshjeje të përkohshme, që synon uljen e tensioneve rajonale dhe garantimin e lirisë së lundrimit në Ngushticën e Hormuzit.