Presidenti amerikan Donald Trump ka urdhëruar ushtrinë amerikane të pezullojë sulmet ndaj Iranit, raportojnë mediat prestigjioze amerikane “New York Times” dhe “Axios”. Vendimi vjen pas 13 ditësh sulmesh radhazi, të cilat kishin ngritur tensionet në rajon.
“The Times”, duke cituar zyrtarë të administratës Trump, theksoi se vendimi i presidentit erdhi për shkak të shqetësimeve se një përshkallëzim i luftës do të “shteronte në mënyrë të rrezikshme rezervat tashmë të pakësuara të Pentagonit, duke përfshirë interceptorët antiraketë Patriot dhe municione të tjera të mbrojtjes ajrore në Lindjen e Mesme”.
Më tej, thuhet se vendimi pasoi një takim të premten midis Trumpit, këshilltarëve të tij kryesorë dhe anëtarëve të lartë të kabinetit.
“Axios”, nga ana e saj, duke cituar dy burime anonime me njohuri për vendimin, bën të ditur se mbetet e paqartë nëse urdhri i Trump për ndërprerjen e sulmeve është një rast i izoluar apo nëse qetësia do të vazhdojë.
Po sipas “Axios”, vendimi i Trump “pasqyron si gatishmërinë e tij për t’i dhënë më shumë hapësirë diplomacisë, ashtu edhe një njohje se – përveç një kthimi në operacione të mëdha luftarake – niveli aktual i sulmeve amerikane ka arritur kufirin e efektivitetit të tij”.
Burimet e cituara nga “Axios” kanë theksuar gjithashtu se ushtria amerikane po përgatiste plane për një rikthim të mundshëm në operacione të mëdha luftarake.
