Tuchel: Kemi zhgënjim, por bronzi është medalja e parë që nga viti 1966, shpresoj që lojtarët të jenë krenarë

Trajneri i Anglisë, Thomas Tuchel, pas ndeshjes për vendin e tretë në Botërorin 2026 kundër Francës, ku ‘Tre Luanët’ fituan medaljen e bronztë, theksoi se pavarësisht zhgënjimit, kjo është një arritje historike. Kjo është medalja e parë për skuadrën angleze që nga viti 1966, kur fituan titullin e vetëm botëror.

“Nuk mund të jemi plotësisht të kënaqur me një medalje bronzi, por është medalja e parë në 60 vjet dhe e para e fituar në një Kupë Bote të zhvilluar jashtë Anglisë. Shpresoj që një ditë futbollistët të mund të jenë krenarë për këtë,” u shpreh Thomas Tuchel, i cili gjithsesi nuk e fshehu keqardhjen që skuadra e tij nuk arriti të kualifikohej në finalen e madhe të kompeticionit, pasi u mund nga Argjentina.

“Qëllimi ynë ishte të realizonim ëndrrën më ambicioze të mundshme. Kishim një ambicie të jashtëzakonshme për të arritur finalen e Botërorit. Kështu që, kur dështon, është tejet e dhimbshme dhe kjo dhimbje do të vazhdojë për njëfarë kohe,” shtoi gjermani.

Tuchel më pas mbrojti zgjedhjet e tij taktike në ndeshjen kundër Argjentinës, për të cilat mori kritika të ashpra.

“Kemi ndërtuar diçka shumë të veçantë në javët e fundit dhe nuk do të bëjmë kompromise në këtë drejtim. Por, rikonfirmoj atë që kam thënë; duhet të luajmë një futboll më të mirë, të menaxhojmë më mirë ndeshjet nën presion dhe të marrim vendimet më të duhura në çastet kyçe,” përfundoi Tuchel.