Zëdhënësi i Qeverisë dhe një deputet dënohen me burg për nxitje të përçarjes; Manxhuka reagon me fokus te Veriu
**Prishtinë** – Sot, Gjykata Themelore e Prishtinës ka dënuar zëdhënësin e Qeverisë së Kosovës, Arlind Manxhuka, dhe deputetin e Lëvizjes Vetëvendosje, Egzon Azemi, me nga një vit e gjashtë muaj burgim. Dënimi vjen për veprën penale të nxitjes së përçarjes dhe mosdurimit.
Gjithashtu, në të njëjtin proces gjyqësor, Edi Zenelaj dhe Qerim Elshani u dënuan me nga gjashtë muaj burgim për veprën penale të kanosjes.
Aktakuza, e cila më vonë u ndryshua, i kishte akuzuar Manxhukën dhe Azemin për nxitje të përçarjes dhe mosdurimit. Ndërsa, Zenelaj dhe Elshani ishin akuzuar për kanosje drejtuar prokurorit special Afrim Shefkiu dhe gjyqtarit Mentor Bajraktari të Gjykatës Themelore në Prishtinë.
Menjëherë pas vendimit të Gjykatës, zëdhënësi Manxhuka ka reaguar në profilin e tij në Facebook. Megjithatë, ai nuk i është referuar drejtpërdrejt dënimit, por ka shkruar gjerësisht për shpartallimin e bandave kriminale në veri të vendit.
Në postimin e tij, Manxhuka ka theksuar se “ndikimi i Serbisë në veri, bandat kriminale atje janë shpartalluar.” Ai ka shtuar se “ajo që jo që nuk u bë, por që u stimulua për mbi 20 vjet, u luftua dhe u çmontua për vetëm një mandat.” Sipas Manxhukës, Qeveria ka qenë e bindur se do të prisheshin shumë interesa, por “jemi ballëhapur”, pasi pjesa që nisi të cilësohej ‘Dhuratë e Rankoviqit’ po merr jetë si kurrë më parë, si mrekulli dhe bukuri e Republikës së Kosovës. “Përpara. Vazhdojmë,” ka përfunduar Manxhuka.
