**U pa me armë (që doli të ishte lodër), bastiset shtëpia e 50-vjeçarit në Han të Elezit**
Një incident që shkaktoi shqetësim te qytetarët ka ndodhur sot në Han të Elezit, ku një person u pa duke lëvizur me një objekt që ngjante me armë. Rasti nxiti reagim të menjëhershëm të Policisë së Kosovës.
Sipas informacioneve zyrtare, njësitë patrulluese arritën të identifikojnë dhe intervistojnë të dyshuarin, me inicialet E.B., rreth 50 vjeç, banor i zonës. Ai dorëzoi objektin që mbante.
Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Ferizajt, Kanun Veseli, konfirmoi se objekti i dorëzuar përputhej me atë të vërejtur në videon e publikuar në media. “Menjëherë pas pranimit të informatës, njësitë patrulluese të stacionit policor në Han të Elezit kanë bërë identifikimin e personit të dyshuar, i cili është intervistuar dhe ka dorëzuar mjetin e dyshimtë, i cili përputhet me atë që shihet në video”, deklaroi Veseli.
Gjatë intervistës, i dyshuari sqaroi se objekti në fjalë nuk ishte armë e vërtetë, por një lodër e djalit të tij tetëvjeçar. “Personi ka sqaruar se mjeti është lodër e djalit të tij dhe se është i njëjti që kishte në dorë gjatë lëvizjes”, shtoi Veseli.
Lidhur me rastin, u njoftua prokurori kujdestar, i cili, me pëlqimin e të dyshuarit, autorizoi bastisjen e shtëpisë së tij. Gjatë kontrollit nuk u gjetën mjete të tjera të dyshimta.
Me udhëzim të prokurorit të shtetit, rasti është iniciuar si “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armës”, ndërsa objekti (lodra) është konfiskuar nga policia.
Autoritetet u kanë bërë thirrje qytetarëve për kujdes dhe shmangie të situatave që mund të shkaktojnë panik, edhe në rastet kur bëhet fjalë për objekte lodër.
