Karabinierët në Padova, Itali, kanë thelluar hetimet për vrasjen e Ferdinant Hotit, 35-vjeçarit shqiptar, trupi i të cilit u zbulua brenda një automjeti të fundosur në lumin Tergola. Identifikimi i viktimës u bë falë shenjave të gishtërinjve.

Hetuesit po përpiqen të rindërtojnë kontaktet dhe lëvizjet e fundit të viktimës, i cili nuk kishte një adresë të regjistruar, por jetonte në Mirano. Dyshimi kryesor është se Hoti nuk është vrarë në vendin ku u gjet trupi, por në një zonë tjetër, me dyshimet që çojnë drejt Venecias si vend i ekzekutimit.

Viktima dyshohet se është vrarë me një plumb në kokë. Karabinierët po analizojnë pamjet e kamerave të sigurisë në San Giorgio delle Pertiche dhe zonat përreth, me qëllim gjurmimin e itinerarit të automjetit tip Fiat Bravo, brenda të cilit ndodhej trupi.

Në zonën e Camposampierese ndodhen rreth 200 kamera sigurie dhe 50 sisteme për identifikimin e targave, gjë që u jep hetuesve shpresë për të rindërtuar lëvizjet e automjetit. Në qendër të vëmendjes janë edhe kamerat e një mobilieri pranë vendit ku automjeti përfundoi në lumin Tergola.

Paralelisht, autoritetet po analizojnë të dhënat e antenave telefonike të aktivizuara gjatë natës mes së hënës dhe të martës, kur dyshohet se trupi u fsheh. Hetuesit nuk përjashtojnë përfshirjen e më shumë se një personi dhe po verifikojnë lidhjet e mundshme me persona të përfshirë në shpërndarjen e drogës në zonën e Miranos.

Hetimet janë fokusuar edhe te një incident tjetër i ndodhur në Mirano mes 30 qershorit dhe 1 korrikut, kur një shtetas shqiptar u plagos me armë zjarri në shpatull teksa po kthehej në shtëpi me partneren e tij.

Sipas hetimeve të atëhershme, sulmi dyshohet të jetë kryer nga dy persona (me kombësi shqiptare), të cilët e prisnin pranë banesës së tij.

Hetuesit po analizojnë pamjet e kamerave në mënyrë kronologjike, duke kthyer prapa kohën për të përcaktuar se kur dhe nga ku mbërriti automjeti. Dyshohet se autorët e kanë vëzhguar me kujdes zonën ku fundosën automjetin me trupin e pajetë të 35-vjeçarit Hoti.