**Ushqimet që shkaktojnë fryrje**
Ndiheni të fryrë edhe pse nuk keni ngrënë një racion të bollshëm? Atëherë, kini kujdes çfarë hani. Është e rëndësishme t’i kushtoni vëmendje sasisë së ushqimeve që mund të shkaktojnë fryrje të barkut, sidomos kur dëshironi të keni një pamje të mirë, qoftë në punë apo gjatë një takimi.
Shumë gra përballen me problemin e fryrjes së barkut, por as burrat nuk janë të imunizuar. Dallimi qëndron në faktin se te gratë fryrja shkaktohet kryesisht nga ndryshimet hormonale, ndërsa te burrat varet më shumë nga ushqimi që konsumojnë.
Disa ushqime mund t’ju qetësojnë stomakun dhe zorrët, ndërsa të tjera shkaktojnë fryrje për më pak se një orë. Në këtë grup bëjnë pjesë pjekurina të ndryshme të kripura, pica, ëmbëlsirat dhe çamçakëzët, uji i gazuar, boza, alkooli, si dhe akullorja.
Perimet që shkaktojnë fryrje janë bizelet, lulelakra, qiqrat dhe brokoli.
Pjekurinat janë të pasura me natrium, i cili ndikon në nivelin e ujit në trupin tonë. Sasia e natriumit që konsumojmë përcakton nëse trupi ynë do ta mbajë apo do ta eliminojë tepricën e ujit. Nëse marrim më shumë natrium sesa i nevojitet organizmit, uji do të akumulohet dhe do të shkaktojë ndjesinë e fryrjes.
Gjithashtu, picat, përveç natriumit, përmbajnë edhe sasi të mëdha karbohidratesh dhe sheqeri, të cilat, të kombinuara, shkaktojnë fryrjen dhe mbajtjen e ujit në zorrë.
Ëmbëlsirat, si karamelet dhe çamçakëzët, përmbajnë alkool sheqeri (si sorbitol apo glukitol), të cilat trupi ynë nuk mund t’i tresë. Si rezultat, këto substanca mbeten në zorrë, ku bakteret ushqehen me to.
Ëmbëlsirat nuk shkaktojnë fryrje te të gjithë, ashtu siç ndodh me produktet e qumështit. Megjithatë, nëse jeni intolerantë ndaj laktozës, qumështi apo akullorja do t’jua “fryjë” barkun.
Pijet alkoolike dhe ato të gazuara shkaktojnë dehidratim, duke i dërguar trupit një sinjal të fuqishëm rreziku dhe duke e nxitur të mbajë ujin.
Edhe pse disa perime janë ideale për detoksifikimin e organizmit, bizelet, lulelakra, qiqrat dhe brokoli përmbajnë oligosakaride sheqeri, të cilat treten me vështirësi te disa njerëz.
Fryrja nga ushqimi duhet të jetë afatshkurtër dhe të mos zgjasë më shumë se dy-tre ditë. Nëse ndieni fryrje të vazhdueshme, atëherë duhet të konsultoheni me mjekun tuaj.
