Crvena Zvezda është përballur me një dënim të rëndë financiar nga UEFA, pas incidentëve të regjistruara në ndeshjen ndaj Viktoria Plzenit në Ligën e Evropës.

Organi disiplinor i UEFA-s ka shqiptuar një gjobë totale prej 99,500 eurosh për klubin serb, pas sfidës së zhvilluar më 20 gusht, të cilën Crvena Zvezda e fitoi 3-0.

Pjesa më e madhe e dënimit lidhet me mesazhet e papërshtatshme të shfaqura nga tifozët gjatë takimit. Për këtë shkelje, klubi është gjobitur me 50 mijë euro. Në mesin e parullave të shfaqura ishte edhe mesazhi “Kosova është Serbi”.

Një tjetër gjobë prej 20 mijë eurosh është vendosur për bllokimin e shkallëve të stadiumit, ndërsa përdorimi i mjeteve piroteknike i ka kushtuar klubit edhe 9,500 euro.

Dënimi tjetër prej 20 mijë eurosh lidhet me sjellje raciste dhe/ose diskriminuese të tifozëve. Përveç gjobës, UEFA ka urdhëruar edhe mbylljen e pjesshme të stadiumit, konkretisht sektorin 3 të tribunës veriore, për ndeshjen e ardhshme evropiane si vendas.

Megjithatë, kjo masë nuk do të zbatohet menjëherë. Mbyllja e sektorit është pezulluar për një periudhë prove prej dy vitesh dhe mund të aktivizohet nëse Crvena Zvezda kryen shkelje të tjera gjatë kësaj kohe.

Në total, klubi serb duhet të paguajë 99,500 euro, ndërsa vendimi i UEFA-s vjen si një paralajmërim i qartë ndaj sjelljeve raciste, diskriminuese dhe mesazheve të papërshtatshme në stadiume.