Ulutaş dhe Krone diskutojnë për sigurinë në Kosovë
Komandanti i Misionit të KFOR-it në Kosovë, të udhëhequr nga NATO, gjeneralmajori Özkan Ulutaş, priti sot në selinë e KFOR-it në Prishtinë, në Kampin Film City, gjeneralmajorin Alexander Krone, komandantin e Divizionit të Parë të Blinduar të Gjermanisë.
Sipas KFOR-it, gjatë takimit u diskutua për situatën e sigurisë në rajon. Gjeneralmajori Ulutaş rikonfirmoi përkushtimin e misionit për të garantuar një mjedis të sigurt dhe të qetë për të gjithë banorët e Kosovës, në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme.
Komandanti i KFOR-it prezantoi gjithashtu aktivitetet aktuale dhe prioritetet kryesore të misionit.
Gjeneralmajori Ulutaş shprehu gjithashtu mirënjohjen për kontributin e gjatë dhe të çmuar të Gjermanisë në Misionin e KFOR-it të udhëhequr nga NATO në Kosovë.
