Vala e të nxehtit zhvendoset drejt Evropës Qendrore, Gjermania më e prekur
Vala e të nxehtit që ka përfshirë Evropën do të ruajë intensitetin e saj dhe gjatë fundjavës do të zhvendoset gradualisht drejt Evropës Qendrore.
Të premten, sipas CNN, temperaturat më të larta se normalja do të shtrihen nga Anglia dhe Franca Qendrore, përmes vendeve të Beneluksit dhe deri në Gjermani. Temperaturat pritet të jenë 10 deri në 15°C mbi mesataren sezonale në të gjithë rajonin, me vlera maksimale që në shumicën e zonave do të shkojnë nga 35°C në mbi 40°C.
Kulmi i valës së të nxehtit pritet të jetë të shtunën në Gjermani, ku shumë qytete mund të regjistrojnë temperatura deri në 40°C.
Në pjesë të Mbretërisë së Bashkuar dhe Francës, temperaturat do të shënojnë një rënie të lehtë të premten dhe të shtunën, ndërsa lehtësimi më i ndjeshëm pritet të vijë të dielën, me lëvizjen e mëtejshme të masës ajrore të nxehtë drejt lindjes.
Në vende si Gjermania, Italia, Austria, Çekia, Hungaria dhe Polonia, temperaturat do të mbeten jashtëzakonisht të larta, duke arritur në shumicën e zonave 35-40°C.
Në Evropën Lindore, temperaturat mbi mesatare do të fillojnë të zbuten gradualisht. Megjithatë, gjatë pjesës më të madhe të javës së ardhshme, ato do të mbeten 5 deri në 10°C mbi mesataren për këtë periudhë të vitit.
