Vala e të nxehtit që ka përfshirë Zvicrën që nga e enjtja do të vazhdojë të paktën deri në fundjavën e ardhshme. Sipas MeteoSwiss, temperaturat do të kalojnë 35°C gjatë gjithë kësaj periudhe, ndërsa paralajmërimet për vapë të nivelit 3 dhe 4 janë zgjatur deri të shtunën në veri të Alpeve dhe deri të dielën në jug të tyre.
Të dielën janë regjistruar rekorde të reja temperaturash për muajin qershor në disa zona të vendit. Në Delémont (kantoni Jura), temperatura arriti në 35.4°C, duke tejkaluar rekordin e mëparshëm prej 35.0°C. Ndërsa në Buchs (kantoni Aargau), termometri shënoi 36.1°C, duke kaluar rekordin e mëparshëm prej 35.9°C.
Sipas MeteoSwiss, në ditët në vijim pritet rritje e mëtejshme e temperaturave dhe mundësia për rekorde të reja deri në fund të javës së ardhshme. Nga e enjtja, parashikohet një zhvendosje e qarkullimit atmosferik nga jugperëndimi, duke sjellë ajër më të lagësht dhe rritje të temperaturave minimale gjatë natës. Kjo mund të çojë në rritjen e nivelit të alarmit për vapë në disa rajone deri në nivelin 4, si dhe rritje të rrezikut për stuhi.
Në zonat urbane, temperaturat gjatë natës mbeten më të larta për shkak të ftohjes më të ngadaltë të ajrit.
Net tropikale dhe çrregullime të gjumit
Ekspertët theksojnë se “netët tropikale”, kur temperatura nuk zbret nën 20°C, ndikojnë ndjeshëm në cilësinë e gjumit. Sipas Raphaël Heinzer, drejtor i Qendrës së Kërkimeve të Gjumit në CHUV, nxehtësia e tepërt e vështirëson procesin e rënies në gjumë, pasi trupi duhet të ulë temperaturën me 0.5 deri në 1°C për të aktivizuar gjumin.
