Virgil van Dijk në dilemë për të ardhmen, Milani gjigant në ndjekje të mbrojtësit të Liverpoolit
Virgil van Dijk, mbrojtësi veteran i Liverpoolit, është lidhur fuqishëm me një transferim të mundshëm te Milani. Ai pranon se nuk e ka të qartë ku do të luajë sezonin e ardhshëm, megjithatë është i bindur se mund të vazhdojë karrierën “për shumë vite të tjera”.
35-vjeçari është një nga objektivat kryesorë të klubit italian dhe pronarit të Milanit, Gerry Cardinale, i cili drejton fondin RedBird. Cardinale kishte tentuar transferimin e tij që verën e kaluar.
Media italiane raporton gjerësisht se tentativa për transferimin e tij është vetëm shtyrë dhe se Van Dijk pritet ta veshë fanellën kuqezi në “San Siro” në të ardhmen. Një transferim i mundshëm si futbollist i lirë është gjithashtu një mundësi, nëse kontrata e tij me Liverpoolin nuk rinovohet dhe përfundon më 30 qershor të këtij viti.
Van Dijk theksoi për “Sky Sports UK”: “Gjëja më e rëndësishme për mua është se ndihem mirë, kujdesem për veten dhe, sipas mendimit tim, kam ende shumë vite të tjera për të luajtur.”
Ai shtoi: “Çfarëdo që do të ndodhë pas këtij sezoni, do ta shohim. Në këtë moment, nëse dikush thotë apo pretendon se e di se çfarë do të bëj sezonin e ardhshëm, kjo nuk është e vërtetë, sepse as unë vetë nuk e kam asnjë ide se çfarë do të ndodhë.”
Komentet e Van Dijk, si dhe toni i intervistës, sugjerojnë se aventura e mbrojtësit holandez te Liverpooli mund të jetë drejt fundit, duke hapur rrugën për një transferim të mundshëm te Milani.
“Ka qenë një rrugëtim i jashtëzakonshëm, gati 10 vjet këtë verë. Ka qenë një pjesë e madhe e jetës sime dhe do të jem gjithmonë mirënjohës për gjithçka që ka ndodhur gjatë këtyre viteve. Nëse do të ketë vazhdim të bashkëpunimit, do ta shohim atëherë. Nëse jo, atëherë do të them lamtumirë gjatë verës,” deklaroi qartë mbrojtësi holandez.
Një detaj interesant është se kompania e Cardinales, RedBird, zotëron gjithashtu aksione në Fenway Sports Group, e cila nga ana e saj kontrollon 62 për qind të aksioneve të klubit të Liverpoolit.
Përpjekjet e Milanit për transferimin e Van Dijk pritet të varen edhe nga kualifikimi i klubit italian në Ligën e Kampionëve për sezonin e ardhshëm.
