Egzon Bytyqi, i dyshuar për vrasjen e bashkëshortes së tij, Jetlira Foniqi, ka ndërruar jetë. Vdekja e tij u konfirmua sot, më 27 gusht 2026, rreth orës 17:15, ndërsa vrasja e Foniqit kishte ndodhur më 23 gusht 2026 në fshatin Kërvasar të Malishevës.

Lajmin e ka konfirmuar për mediat Sheremet Elezaj, zëdhënës i Policisë së Kosovës për rajonin e Gjakovës.

“I dyshuari në rastin e veprës penale ‘Vrasje e rënduar’, e cila ndodhi më datë 23.08.2026 në fshatin Kërvasar, Komuna e Malishevës, sot më 27.08.2026, rreth orës 17:15, ka ndërruar jetë. Procedurat hetimore lidhur me këtë rast do të vazhdojnë në koordinim me prokurorin kompetent,” deklaroi Elezaj.

Vrasja e Jetlira Foniqit kishte tronditur Kosovën, duke nxitur reagime të shumta dhe të forta në opinionin publik. Hetimet për rastin do të vazhdojnë pavarësisht vdekjes së të dyshuarit.