Ndërron jetë papritur Ron Teigen Sr., babai i Chrissy Teigen
Chrissy Teigen ka njoftuar lajmin e hidhur për ndarjen nga jeta të babait të saj, Ron Teigen Sr. Lajmi i papritur u bë publik nga modelja dhe autorja e njohur e librave të gatimit nëpërmjet një postimi emocionues në Instagram, të mërkurën.
Ajo zbuloi se babai i saj kishte ndërruar jetë një ditë më parë, pra të martën.
Në postimin e saj prekës, Chrissy përshkroi rutinën e një dite normale, që papritur mori një kthesë tragjike. Ajo shkroi: “Dje u zgjova me babin tim dhe shkova të flija pa të. Ishte një ditë mjaft normale. Bëra një dush të shpejtë, mora disa lodra për qen, iu përgjigja disa emaileve dhe anashkalova të tjera. Qesha me shoqet e mia dhe vesha një fustan të bukur në festën e ditëlindjes së një shoqeje. Bëra edhe një video duke menduar: ‘Sa i lezetshëm është ky fustan!'”
Më pas, me një thjeshtësi shokuese, ajo vazhdoi: “Dhe pastaj babai im thjesht… vdiq.”
Teigen reflektoi mbi ndjenjën e papërgatitjes, pavarësisht se ishte përpjekur të pajtohej me idenë e vdekjes së tij. Ajo shprehu: “Mendova se nuk do të shpërtheja siç ndodhi, duke pasur parasysh që kishim folur për këtë dhe isha pajtuar me faktin se ai gjithmonë kishte qenë ‘babai i vjetër’. Isha përgatitur për atë telefonatë për vite me radhë. Mendova se do të isha gati.”
Në fund të postimit, Chrissy ndau një kujtim të veçantë nga një vizitë e fundit. Ajo tregoi: “Disa muaj më parë, pata mundësinë ta vizitoja për një javë. I shkrova një letër duke e falënderuar për gjithçka. Për sa shumë punoi për ne gjatë rritjes dhe sa shumë e dua. Do të jem përgjithmonë mirënjohëse për momentin kur ia dorëzova atë letër dhe për të gjitha vitet që erdhën para saj.”
Lajmi u transmetua fillimisht nga Indeksonline.
