**Varroset sot futbollisti Fatjon Bunjaku, i ndjerë pas aksidentit tragjik**
Fatjon Bunjaku, futbollisti i cili humbi jetën tragjikisht në një aksident trafiku rrugor, do të varroset sot. Ceremonia e varrimit do të zhvillohet në orën 17:00, në varrezat e fshatit Samadrexhë të Vushtrrisë.
Lajmi për vdekjen dhe varrimin e 22-vjeçarit, i cili ndërroi jetë pas një aksidenti në rrugën Mitrovicë-Prishtinë, u konfirmua fillimisht nga Klankosova.tv.
Detajet e varrimit u publikuan edhe në faqen zyrtare të fshatit në Facebook, ku thuhej: “Varrimi i të ndjerit, Fatjon Bunjaku do të bëhet më datën 8 qershor nga ora 17:00 në varrezat e fshatit Samadrexhë – Vushtrri”.
Fatjon Bunjaku ka qenë pjesë e klubit AF Elbasani, ndërsa më herët ai kishte luajtur edhe për përfaqësuesen e Kosovës U-21.
