**Veseli: E Rëndë që Ushtarët të Padisin Shtetin Për Orët Shtesë të Papaguara**
Ish-koloneli Afrim Veseli e ka cilësuar të papranueshme dhe antiligjore moskompensimin e pjesëtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) për orët shtesë të punës. Ky reagim vjen pas gjetjeve të Zyrës Kombëtare të Auditorit (ZKA), sipas të cilave, vetëm gjatë vitit 2025 ushtarëve u kanë mbetur pa u paguar afro 2.9 milionë euro për angazhimet shtesë.
Në një intervistë për Ekonomia Online, Veseli theksoi se përgjegjësia kryesore i takon Qeverisë dhe Ministrisë së Mbrojtjes. Ai shtoi se mungesa e pagesave nuk mund të arsyetohet me pretendimin se nuk ka mjete financiare.
“Është absurde. Përgjegjëse është e gjithë Qeveria, është Ministria e Mbrojtjes që pjesëtarëve të FSK-së, ushtarëve tanë, nuk u kanë paguar orët shtesë. Nëse thuhet se nuk ka para, unë do të bëja një krahasim: nëse merrni pasqyrën e shpenzimeve të zyrtarëve të shtetit, ju mund të shihni se sa para ata marrin për udhëtimet jashtë vendit; do të thotë, buxhet ka. Ndërsa për ushtarët dhe policët tanë, të thuhet se nuk ka para apo të jepet çfarëdo justifikimi tjetër, është e papranueshme, e patolerueshme dhe antiligjore”, u shpreh Veseli.
Ai theksoi se nuk ka situatë më të rëndë sesa kur ushtarët dhe policët detyrohen të kërkojnë të drejtat e tyre financiare përmes proceseve gjyqësore kundër shtetit që e shërbejnë.
“Nuk ka gjë më të rëndë sesa për një ushtar apo polic, të thirrur për mbrojtjen dhe sigurinë e atdheut, të detyrohen të bëjnë ankesë apo padi ndaj shtetit të cilin janë thirrur ta mbrojnë dhe ta sigurojnë”, shtoi ai.
Duke folur për vonesat në zgjidhjen e çështjes, ish-koloneli tha se institucionet përgjegjëse duhej ta kishin trajtuar këtë problem shumë më herët. “Për këto duhet të japë përgjegjësi Ministria e Mbrojtjes dhe Qeveria. Nuk është faji i asnjë ushtari dhe kjo është dashur të realizohet prej kohësh, çdo muaj. E jo të pritet dhe të detyrohen pjesëtarët e FSK-së dhe Policisë të bëjnë padi kundër shtetit të vet”, deklaroi Veseli.
I pyetur nëse Ministria e Mbrojtjes ka bërë sa duhet për të mbrojtur të drejtat financiare të ushtarëve, ai dha një përgjigje të shkurtër: “Po sikur të kishte bërë, ata do të ishin paguar”.
Veseli komentoi edhe faktin që Ministria e Financave nuk e ka mbështetur kërkesën e Ministrisë së Mbrojtjes për buxhet shtesë për pagesën e orëve shtesë, duke ngritur pikëpyetje mbi qasjen e institucioneve ndaj sektorit të sigurisë.
“Nëse çdo ditë thuhet se po rritet buxheti i ushtrisë dhe se mbrojtja është prioritet, e në anën tjetër një prej dikastereve të kësaj Qeverie, në këtë rast Ministria e Financave, refuzon të bëjë pagesën e orëve shtesë të ushtrisë dhe të policëve, atëherë cila do të ishte përgjegjësia që do të mbante Qeveria? Ministria e Mbrojtjes dhe Ministria e Financave janë që të dyja departamente të Qeverisë së Kosovës. Cili është konflikti i tyre i brendshëm? Apo ndoshta ministri i Financave ka diçka kundër ushtrisë dhe kundër policisë, e në këtë rast posaçërisht kundër Ushtrisë së Kosovës”, deklaroi Veseli.
Zyra Kombëtare e Auditorit ka prezantuar të gjetura shqetësuese, ku theksohet se plot 2 milionë e 869 mijë e 999 euro u ka mbetur shteti borxh vetëm në vitin 2025 pjesëtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës për orët shtesë. ZKA saktëson se disa prej tyre janë kompensuar me ditë pushimi vetëm për aq “sa zhvillimi i aktiviteteve operative të FSK-së të mos ndikohet/pengohet”. Për më tepër, kur Ministria e Mbrojtjes ka bërë kërkesë për ndarje të buxhetit shtesë për të paguar orët shtesë të ushtarëve, Ministria e Financave nuk e ka mbështetur.
“Ministria, për punën me kujdestari ka paguar pjesëtarët e FSK-së, vetëm për muajin janar 2025. Po ashtu, kompensimi me ditë pushimi, gjatë vitit është bërë për aq sa zhvillimi i aktiviteteve operative të FSK-së të mos ndikohet/pengohet. Ministria kishte bërë kërkesë në vazhdimësi në Ministrinë e Financave, Punës dhe Transfereve për ndarje të buxhetit shtesë për përmbushjen e obligimeve, por kjo kërkesë nuk kishte gjetur mbështetje. Bazuar në këto kërkesa vërehet se vlera e punëve me kujdestari të papaguara për pjesëtarët e FSK-së për vitin 2025 kishte arritur 2,869,999€, dhe për shkak të mospagesës kishte filluar procesi i padive nga pjesëtarët e FSK-së ndaj Ministrisë”, thotë Auditori në të gjeturat e tij.
Ligji nr. 08L-196 për pagat në sektorin publik, në nenin 36 paragrafi 1, përcakton se zyrtarët publikë dhe kategoritë e tjera të të punësuarve që paguhen nga buxheti i shtetit përfitojnë kompensim në vlerë monetare ose me pushim për punën me kujdestari, punën gjatë natës dhe jashtë orarit të punës, punën në fundjavë, si dhe punën në ditët e festave zyrtare.
Ministria e Mbrojtjes, në përgjigjen dhënë Auditorit, është arsyetuar se “Draft-Rregullorja për orarin e punës gjatë vitit 2025, edhe pse është hartuar dhe përfunduar, nuk është miratuar për shkak të kufizimeve ligjore, pasi ministri është vetëm në detyrë” (në kuptimin e një ministri në detyrë ose ushtrues detyre, me kompetenca të kufizuara).
