Një promo televizive për një rast penal që ndodhet ende në fazën e apelimit ka nxitur reagimin e avokatit Besnik R. Berisha, i cili ka ngritur pikëpyetje serioze për momentin në të cilin kjo çështje po zhvendoset nga salla e gjykatës në ekran.

Berisha thotë se gazetarja e emisionit e ka kontaktuar dhe se ai tashmë është prononcuar për rastin. Habinë, sipas tij, nuk ia ka shkaktuar interesimi i medias, por fakti që çështja po dramatizohet publikisht pikërisht në kohën kur Gjykata e Apelit ende nuk e ka thënë fjalën e saj.

“E pashë promon dhe, sinqerisht, u habita. Jo sepse gazetarja nuk më ka kontaktuar. Përkundrazi, kjo ka ndodhur dhe unë jam prononcuar për çështjen. Habia ime lidhet me zgjedhjen e momentit dhe me mënyrën se si një çështje që pret vlerësimin e gjykatës po zhvendoset, ndërkohë, në arenën e gjykimit publik”, ka thënë Berisha.

Sipas tij, informimi i publikut është legjitim, por ekziston një vijë që e ndan raportimin për një çështje gjyqësore nga krijimi paraprak i një klime rreth një vendimi që ende nuk është marrë.

“Mbase ka edhe nga ata që debatin publik rreth drejtësisë e kuptojnë ndryshe, fillimisht ndërtohet narrativa, ndahen rolet, krijohet emocioni dhe vetëm pastaj pritet fjala e gjykatës”, ka deklaruar ai.

Por reagimi i Berishës nuk është ndalur vetëm te promoja.

Ai ka publikuar edhe një video të frizerit Riza, i cili rrëfen një episod krejt tjetër për personin që në procedurën penale paraqitet si i dëmtuar.

Sipas Rizës, i njëjti person i kishte paguar plot 1 mijë euro për një qethje flokësh dhe kishte dashur që momenti edhe të filmohej.

Ajo që e bën këtë rrëfim edhe më interesant është koha kur pretendohet se ka ndodhur. Sipas Berishës, bëhet fjalë për rreth dy muaj pasi personi në fjalë kishte dhënë deklaratën e parë në polici dhe kishte përshkruar, ndër të tjera, edhe një gjendje të rëndë financiare.

“Nëse kjo është e vërtetë apo jo, nuk po e marr përsipër ta vendos unë. Por, më lejoni një ironi të vogël, nuk besoj se haset shpesh një ‘viktimë e gjendjes së rëndë financiare’ që, vetëm pak javë më vonë, ta vlerësojë një qethje flokësh me 1,000 euro. Ndoshta edhe kjo e ka shpjegimin e vet”, ka thënë Berisha.

Mbrojtja nuk pretendon se videoja e frizerit, në vetvete, provon ose përgënjeshtron ndonjërën prej veprave penale që janë objekt i procedurës. Por, sipas Berishës, ajo mjafton për të treguar pse një person nuk mund të reduktohet në portretin që krijon një rrëfim i vetëm televiziv.

“Ai që denoncon nuk fiton aureolë vetëm pse paraqitet si viktimë, sikurse ai që denoncohet nuk mund të shndërrohet në monstrum vetëm pse historia është treguar nga një kënd i vetëm”, ka theksuar ai.

Berisha ka bërë të ditur se emisionin do ta ndjekë në tërësi dhe se, pas transmetimit, nëse do të jetë e nevojshme, pretendimet e bëra aty do të ballafaqohen me faktet, deklaratat, dokumentet dhe provat e dosjes.

“Për atë që prek lirinë e një njeriu dhe peshën juridike të pretendimeve ndaj tij, do të ishte më e udhës që të gjithë ta prisnim fjalën e institucionit që ligjërisht është thirrur ta japë atë, Gjykatës së Apelit. Të paktën derisa ajo të flasë”, ka përfunduar Berisha.

Çështja ndodhet aktualisht në fazën e apelimit, ndërsa vendimmarrja për masën ndaj të pandehurit ende nuk ka marrë epilog përfundimtar.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.