Analisti politik Azem Vllasi ka shprehur zhgënjim të thellë me zhvillimet e fundit politike në Kosovë dhe me klasën politike në vend.

Në një prononcim për FrontOnline, Vllasi theksoi se nuk ka dëshirë të komentojë zhvillimet aktuale, duke i cilësuar ato si “maskarallëqe”.

“Nuk kam vullnet t’i komentoj këto maskarallëqe që po ndodhin. Mjerë populli dhe shteti me kësi klase politike. Bota po habitet me ne, ndërsa Serbia po gëzohet”, ka thënë Vllasi.

Kjo deklaratë vjen në një kohë kur Kuvendi i Kosovës nuk ka arritur të përfundojë konstituimin e nisur më 6 gusht. Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Albin Kurti, kërkoi kohë shtesë për arritjen e një marrëveshjeje politike.

Afati për përfundimin e konstituimit skadoi më 7 gusht, bazuar në aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese të datës 26 qershor 2019. Në atë aktgjykim, Gjykata kishte përcaktuar se Kuvendi duhet të konstituohet brenda 30 ditësh nga certifikimi i rezultatit të zgjedhjeve, por nuk sqaroi pasojat juridike nëse ky afat nuk respektohet.