**Vuçiq lavdëron Trumpin: Serbia, potencial strategjik për SHBA-në**
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka deklaruar se vendi i tij e kupton vizionin e ish-presidentit amerikan, Donald Trump, dhe se ky i fundit, së bashku me bashkëpunëtorët, janë të gatshëm “të dëgjojnë qëndrimin e Serbisë”.
Në një artikull opinioni të botuar në Fox News më 22 maj, Vuçiq theksoi se Serbia i ofron Shteteve të Bashkuara “rëndësi strategjike, stabilitet politik dhe një qeveri të orientuar drejt zbatimit, jo ideologjisë”.
Presidenti serb – i cili udhëheq një shtet kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, por që mban lidhje të forta edhe me Rusinë dhe Kinën – theksoi se “marrëdhënia unike midis Serbisë dhe SHBA-së mund të shërbejë si një avantazh kyç për stabilitetin dhe rritjen e gjithë kontinentit”.
Vuçiq shtoi se Serbia ndodhet në kryqëzimin e “korridoreve kritike energjetike, të transportit dhe digjitale, që lidhin Evropën Juglindore me pjesën tjetër të kontinentit”.
Ai vuri në pah edhe, siç tha, gatishmërinë e Trumpit dhe rrethit të tij më të ngushtë për “ta dëgjuar seriozisht dhe pa paragjykime qëndrimin e Serbisë”.
“Kujtoj takimet në Shtëpinë e Bardhë me rrethin e tij më të ngushtë, të cilat zgjatën për orë të tëra pas negociatave të vështira, por në asnjë moment nuk ndjeva se shqetësimet e mia u shpërfillën apo se u trajtova ndryshe”, shkroi ai.
Gjatë mandatit të parë të Donald Trumpit, në shtator të vitit 2020, Vuçiq nënshkroi në Shtëpinë e Bardhë, në prani të presidentit amerikan, të ashtuquajturën Marrëveshje të Uashingtonit për normalizimin e marrëdhënieve ekonomike mes Serbisë dhe Kosovës, së bashku me kryeministrin e atëhershëm të Kosovës, Avdullah Hoti.
Vuçiq shkroi gjithashtu se simpatia e Serbisë ndaj SHBA-së është rritur, ndryshe nga, siç theksoi ai, pjesa më e madhe e establishmentit evropian, “që e sheh filozofinë ‘Amerika e Para’ me një përzierje hutimi dhe armiqësie”.
“Gjatë udhëtimeve të mia nëpër vend kam vërejtur diçka që në kontinentin tonë është pothuajse e rrallë: entuziazëm të pastër për udhëheqjen e Donald Trumpit”, shkroi Vuçiq.
Ai tha se Serbia për një kohë të gjatë ka pasur “dyshime të thella” ndaj SHBA-së, veçanërisht për shkak të kujtesës së bombardimeve të NATO-s. NATO-ja ndërmori bombardime kundër Jugosllavisë së atëhershme në vitin 1999, për të ndalur krimet e forcave serbe ndaj civilëve shqiptarë gjatë luftës në Kosovë.
Vuçiq shkroi se qytetarët e Serbisë e shohin Trumpin si paqebërës dhe se Serbia sheh tek ai “një lider që vlerëson sovranitetin kombëtar përballë burokracisë pa fytyrë”.
“Nëse Donald Trump e viziton Beogradin, ai do të gëzojë një mikpritje që nuk është parë në Evropë”, shkroi ai.
Megjithatë, Vuçiq, në fund të dhjetorit, kishte deklaruar se Beogradi priste përparime të mëdha nga administrata e presidentit të SHBA-së, por se kjo, deri tani, nuk ishte ndier.
Ai përmendi atëherë sanksionet ndaj Industrisë së Naftës së Serbisë (NIS), të cilat SHBA-ja i vendosi në janar të vitit 2025 për shkak të shumicës së pronësisë ruse në këtë kompani, si dhe tarifat amerikane ndaj importeve të huaja, prej të cilave, mes vendeve të Ballkanit Perëndimor, u godit më së shumti Serbia.
Edhe pse ishte paralajmëruar disa herë, dialogu strategjik mes Serbisë dhe SHBA-së nuk ka nisur ende.
Në janar, Vuçiq deklaroi se për nisjen e këtij dialogu SHBA-ja kishte vendosur një kërkesë “politike” dhe një tjetër lidhur me energjinë, pa dhënë hollësi. Më shumë informacione nuk ka dhënë as Uashingtoni, i cili e sheh frenimin e ndikimit rus dhe kinez si një nga interesat kryesore në Ballkanin Perëndimor. SHBA-ja synon gjithashtu përparim të menjëhershëm në dialogun mes Serbisë dhe Kosovës.
Shtetet e Bashkuara nuk kanë ambasador në Serbi prej më shumë se një viti. Edhe pse Trumpi, në mars të vitit 2025, nominoi republikanin Mark Brnovich për këtë post, administrata e tërhoqi këtë propozim në fillim të tetorit, pa dhënë arsye.
