Vuçiq pohon se i mohohet hyrja në Kosovë pa lejen e Kurtit: Prej vitesh nuk më lejohet

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka komentuar vizitën e fundit të përfaqësuesve të “Listës Studentore” në Kosovë dhe takimin e tyre me peshkopin Teodosije në Graçanicë. Me këtë rast, Vuçiq pohoi se atij dhe anëtarëve të familjes së tij u mohohet hyrja në Kosovë prej vitesh, madje edhe për vizita private.

Ai ia atribuoi këtë pamundësi kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.

“Unë prej vitesh nuk mund të hyj në Kosovë. As si qytetar, e as dikush nga familja ime nuk mund të vijë privatisht, sepse Albin Kurti nuk e lejon këtë,” tha Vuçiq, duke shtuar: “Ndërsa atyre ua lejon.” Deklarata e tij u publikua nga “Nacionalni Magazin”.

Vuçiq kujtoi se përfaqësuesit e “Listës Studentore” fillimisht kishin theksuar se vizita e tyre në Kosovë nuk kishte karakter politik, por më pas, në një komunikatë, ishte sqaruar se peshkopi Teodosije i kishte pritur pikërisht në cilësinë e përfaqësuesve të kësaj liste.

“E dinin mirë dhe pikërisht për këtë e morën lejen, pikërisht sepse e dinin,” citohet të ketë thënë Vuçiq, duke nënkuptuar një qasje të dyfishtë.

Presidenti serb theksoi më tej se qytetarët duhet të reflektojnë mbi arsyet pse kësaj grupi iu mundësua vizita në Kosovë dhe pse Nenad Rashiq i lavdëron kaq shumë.