Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka reaguar ashpër ndaj njoftimit të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, për një takim të planifikuar me komandantin e KFOR-it, Özkan Ulutaş, për të diskutuar hapjen e urës mbi lumin Ibër.
Vuçiq deklaroi se kjo i dërgon Serbisë sinjalin se negociatat janë të pakuptimta, duke theksuar se Marrëveshja e Brukselit e nënshkruar në vitin 2013 ende nuk është zbatuar.
„Gjithçka që bën Kurti dhe gjithçka që ata bëjnë me të është absurditet i plotë“, u shpreh ai. „Parashtroj vetëm një pyetje: Kur do ta zbatoni Marrëveshjen e Brukselit, të nënshkruar në prill të vitit 2013? Asgjë më shumë. Ju, si Bashkim Evropian, e keni nënshkruar, kur do ta zbatoni?“, pyeti Vuçiq.
Sipas Vuçiqit, delegacioni serb ka negociuar rreth 50 herë për çështjen e urës mbi Ibër në kuadër të dialogut të Brukselit.
„Kështu po na jepni sinjal se nuk ka kuptim të bisedojmë e të negociojmë, edhe pse ne gjithmonë kemi negociuar. Për çfarë të bisedojmë? Kemi negociuar 50 herë për urën mbi Ibër, ndërsa tani do ta zgjidhni me forcë, së bashku me miqtë tuaj të NATO-s. Do të shohim. Do të bisedoj me Rutte-n“, përfundoi Vuçiq, duke shtuar se biseda mes Milan Mojsiloviqit dhe Ulutaşit kishte qenë e sjellshme, por jo e mirë.
Megjithatë, takimi i paralajmëruar mes kryeministrit Kurti dhe komandantit të KFOR-it, Ulutaş, nuk është zhvilluar. KFOR-i, si arsye për anulimin, përmendi „rrethana të paparashikuara“.
