Me afatin që po i mbaron zgjedhjes së Presidentit, partitë politike pritet t’i rikthehen tryezës së bisedimeve. Nga Lëvizja Vetëvendosje thonë se takimet janë të domosdoshme dhe se ditët në dispozicion duhet të shfrytëzohen për të gjetur një emër konsensual, para se vendi të përballet me një tjetër cikël zgjedhor. Deputeti i LVV-së, Adnan Rrustemi, i tha Ekonomia Online, se partia e tij nuk e përjashton intensifikimin e takimeve gjatë ditëve në vijim, duke kërkuar vullnet politik nga të gjitha partitë.

Ai përmendi edhe marrëveshjen e mëparshme me LDK-në për një emër konsensual për President, e cila nuk u realizua për shkak të kundërshtimit të gjashtë deputetëve të LDK-së.

“Ne kemi ftuar vazhdimisht për takime e bashkëpunim. Ju kujtoni që na kanë refuzuar, sidomos PDK-ja dhe Aleanca, nuk kanë marrë pjesë në asnjë takim. Me LDK-në patëm arritur një marrëveshje me të gjitha ato vështirësi për një emër konsensual që u prish e u pamundësua nga gjashtë deputetë të LDK-së. Gjithsesi do të ketë ftesa për takime, janë të domosdoshme takimet, duhet t’i intensifikojmë sepse kemi shumë pak ditë në dispozicion. Këto ditë janë për ta zgjedhur Presidentin dhe pastaj për t’u ulur dhe për të kryer punë të tjera dhe detyrime të tjera që kemi si shtet ndaj qytetarëve, por edhe ndaj interesave të Kosovës”, tha Rrustemi.

I pyetur nëse Vetëvendosje do të ishte e gatshme që në këto takime të propozojë një emër konsensual dhe jo partiak për postin e Presidentit, Rrustemi tha se kjo ka qenë vazhdimisht qasja e partisë së tij.

“Gjithmonë kemi qenë për një emër konsensual si Lëvizje Vetëvendosje. Unë besoj që zgjidhja është një emër konsensual, është e domosdoshme kjo. Por PDK-ja dhe Aleanca refuzojnë që të bashkëpunojnë. Unë besoj që përsëri do ta kemi qasjen e njëjtë, konstruktive për të gjetur një emër konsensual dhe pastaj për të vazhduar secili në rolin e tij dhe të saj. Ata që janë në opozitë le ta luajnë rolin e opozitës, ne që jemi në mazhorancë të përmbushim detyrimet që na përkasin”, deklaroi ai.

Rrustemi tha se moszgjedhja e Presidentit dhe shkuarja në zgjedhje të reja do ta dëmtonte vendin, duke e lidhur këtë edhe me çështjet që lidhen me Gjykatën Speciale në Hagë.

“Por, për tema me interes të Kosovës duhet të jemi bashkë, përsëri po e them, siç është Gjykata Speciale. Tash, si mund të merren seriozisht shumë prej kërkesave e nismave e të tjerë e të tjerë, nëse ne nuk e zgjedhim Presidentin e Republikës dhe futemi në zgjedhje brenda 12 ditëve, domethënë. Dhe pastaj kemi 45 ditë fushatë duke goditur njëri-tjetrin, duke akuzuar njëri-tjetrin. Kështu nuk i ndihmojmë as atyre që janë në Gjykatën e Hagës, kështu nuk i ndihmojmë as Kosovës, kështu nuk i ndihmojmë as qytetarëve të Republikës së Kosovës. Vetëm se dëmtojmë buxhetin, dëmtojmë interesat e Kosovës dhe humbim kohë të çmueshme për t’u përballur me shumë prej sfidave që po na presin”, tha deputeti i VV-së.

Ai tha se vendimi i plotë i Kushtetueses ende nuk është publikuar dhe se deri tani nuk kanë zhvilluar diskutime për një emër konkret.

“Vendimi i plotë nuk është publikuar ende, nuk është që kemi pasur takime dhe diskutime. Patëm mbledhje të Kryesisë së Kuvendit dhe uroj që të fillojnë të intensifikohen aktivitetet dhe veprimet për ta gjetur një zgjidhje. Nuk kemi folur, nuk jemi takuar për emër, por po flas se është shumë e rëndësishme vullneti politik. Nëse palët e kanë ndarë mendjen për ta gjetur një zgjidhje, ne edhe mund ta gjejmë një zgjidhje”, u shpreh Rrustemi.

Megjithatë, ai paralajmëroi se zgjidhja mund të jetë e vështirë nëse partitë opozitare, sipas tij, vazhdojnë të mbajnë të njëjtin qëndrim për zgjedhje të reja.

“Por nëse partitë politike opozitare mbesin në pozicionet e njëjta sikurse para 16 shtatorit për ta çuar vendin në zgjedhje të vazhdueshme, të përsëritura, me shpresë se e kufizojnë qeverisjen e Vetëvendosjes, atëherë do të jetë shumë e vështirë”, shtoi Rrustemi.

Gjykata Kushtetuese ka vendosur që presidenti i ri i Kosovës duhet të zgjidhet deri më së largu më 6 tetor. 

Në njoftimin për vendim për kërkesën e Partisë Demokratike të Kosovës për çështjen e konstituimit të Kuvendit dhe formimit të Qeverisë, Kushtetuesja ka konstatuar se më 8 gusht ka nisur të rrjedhë afati prej 60 ditësh për zgjedhjen e presidentit.

Gjykata ka konstatuar se kalimi i afatit prej 30 ditësh për konstituim e ka për pasojë nisjen e rrjedhjes së afateve kushtetuese për zgjedhjen e presidentin./EO/