**WhatsApp rrit sigurinë: Fjalëkalime më të forta dhe informacion shtesë për thirrjet**

WhatsApp ka ndërmarrë hapa të rëndësishëm për të forcuar masat e sigurisë, duke sjellë përditësime të reja që synojnë mbrojtjen e përdoruesve nga sulmet kibernetike, mashtrimet dhe qasja e paautorizuar në llogari.

Ndryshimi thelbësor lidhet me verifikimin me dy hapa. Ndërsa më parë përdoruesit mbroheshin nga një PIN me gjashtë shifra, tani WhatsApp po kalon në një sistem fjalëkalimesh më të avancuar. Këto fjalëkalime mund të përmbajnë shkronja, numra dhe simbole speciale, duke e bërë shumë më të vështirë hamendësimin apo thyerjen e tyre.

Një risi tjetër përfshin telefonatat nga numra të panjohur. Kur një përdorues merr një thirrje nga dikush që nuk është në listën e tij të kontakteve, WhatsApp do të shfaqë detaje shtesë. Këtu përfshihet informacioni nëse numri është nga një vend tjetër apo nëse personi që telefonon ndan grupe të përbashkëta me përdoruesin.

Kjo veçori ka për qëllim të ndihmojë në identifikimin e thirrjeve të dyshimta dhe të reduktojë rrezikun e mashtrimeve në internet. Për momentin, ajo do të jetë e disponueshme vetëm për pajisjet Android.

WhatsApp inkurajon gjithashtu përdoruesit të aktivizojnë çelësat e hyrjes (passkeys). Këto mundësojnë qasjen në llogari me anë të gjurmës së gishtit, njohjes së fytyrës ose kodit të bllokimit të ekranit të telefonit.

Sipas WhatsApp, më shumë se 1 miliard përdorues tashmë kanë aktivizuar një çelës hyrje. Tashmë, është e mundur të regjistrohen disa çelësa hyrje për të njëjtën llogari, një funksion veçanërisht i dobishëm për ata që përdorin më shumë se një pajisje, si për shembull një telefon Android dhe një iPhone.

(Burimi: Telegrafi)