Kushtrim Xhemaili, zëdhënës i Aleancës, ka reaguar ashpër pas zgjedhjes së Tanja Vujoviqit nga Lista Serbe si nënkryetare e Kuvendit të Kosovës. Ai e ka cilësuar këtë veprim si “kulmin e hipokrizisë dhe populizmit” të pushtetit.

Xhemaili theksoi se, pas refuzimit të disa emrave të tjerë në votimet paraprake, deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje në fund e votuan Vujoviqin.

“Asgjë nuk e dallon Tanja Vujoviqin nga Slavko Simiqi,” citoi Xhemaili, duke shtuar se “të dy janë nën të njëjtën komandë direkte të Beogradit dhe kanë mision sabotimin e shtetësisë së Kosovës.”

Zëdhënësi i Aleancës theksoi se deklaratat publike të Vujoviqit dëshmojnë qartë qëndrimet e saj armiqësore ndaj institucioneve të Kosovës. “Kushdo që kërkon në internet mund të gjejë deklaratat skandaloze të Vujoviqit, e cila hapur e quan Kosovën ‘Metohi’, deklaron se punon vetëm për sistemin e Serbisë dhe e krahason situatën në veri me ‘sundimin osman’,” u shpreh ai.

Xhemaili bëri një krahasim tjetër mes dy personazheve, duke theksuar se dallimi mes tyre qëndron vetëm në mënyrën se si, sipas tij, i kanë kundërshtuar institucionet e Kosovës. “Dallimi i vetëm është se Simiqi i ka luftuar institucionet tona brenda Kuvendit, ndërsa Vujoviq, si dekane e strukturave ilegale, i ka luftuar ato fuqishëm edhe nga jashtë, madje publikisht,” shpjegoi ai.

Zëdhënësi i Aleancës akuzoi Vetëvendosjen se votimi i sotëm dëshmon mungesë të parimeve dhe vijave të kuqe politike. “Ata rrëzuan emrat e parë vetëm për t’u shitur ‘patriotizëm’ militantëve në rrjete sociale, përpara se të dorëzoheshin për të votuar saktësisht të njëjtën agjendë të Listës Serbe,” theksoi Xhemaili.

Në fund, Xhemaili përsëriti qëndrimin e Aleancës se zhvillimet në Kuvend janë pjesë e një “teatri të koordinuar” mes pushtetit dhe Listës Serbe. “Aleanca e ka deklaruar prej kohësh se ky teatër i koordinuar mes pushtetit dhe Listës Serbe është një maskaradë e pastër që po e mban peng dinjitetin e Republikës,” përfundoi ai.