Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, e ka cilësuar presidentin rus, Vladimir Putin, si “vrasës”. Kjo deklaratë vjen në përgjigje të komenteve të presidentit amerikan, Donald Trump, i cili, gjatë një qëndrimi në Kinë, iu referua liderit rus si “mik” të tij.
Në një intervistë për CNN, Zelensky theksoi se i takon presidentit amerikan të zgjedhë si do ta cilësojë Putinin, por nënvizoi se për Ukrainën, lideri rus mbetet një armik dhe vrasës.
“Për ne, ai është armik… për ne, ai është vrasës,” citohet të ketë thënë Zelensky.
Sipas BBC-së, para një takimi trepalësh me presidentin kinez, Xi Jinping, dhe presidentin rus, Vladimir Putin, Trump e kishte cilësuar këtë të fundit si mik, duke theksuar se të dy kishin pasur marrëdhënie shumë të mira për shumë vite.
Ndërkohë, sulmet ruse ndaj Ukrainës kanë vijuar edhe gjatë natës. Autoritetet ukrainase njoftuan se dy persona, përfshirë një fëmijë, janë vrarë dhe 52 të tjerë janë plagosur nga sulmet me raketa dhe dronë në qytetin Kryvyi Rih, vendlindjen e Zelenskyt, në rajonin qendror të Dnipropetrovskut.
