**Zelensky pas sulmeve në Kiev: Na duhen më shumë sisteme Patriot**

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky dënoi sot ashpër sulmet ajrore ruse në Kiev dhe zonat përreth tij, duke theksuar se përderisa Ukraina nuk disponon sisteme të mjaftueshme mbrojtëse nga raketat balistike, Rusia nuk do ta marrë seriozisht çështjen e paqes.

Sipas bilancit të fundit, 13 persona humbën jetën dhe rreth 40 u plagosën në sulmet e mbrëmshme në kryeqytet dhe rrethinat e tij.

“Rusët janë përgatitur gjatë dhe kanë kombinuar lloje të ndryshme raketash balistike, raketash kruiz dhe dronësh, me qëllim që të shkaktojnë sa më shumë dëme në infrastrukturën civile,” shkroi Zelensky në platformën Telegram.

Presidenti ukrainas shtoi se ndërsa Moska po investon në raketa balistike dhe përshkallëzim, reagimi i botës ndaj sulmeve të tilla nuk është gjithmonë i përshtatshëm.

“Për sa kohë që Ukraina nuk ka sisteme të mjaftueshme mbrojtëse nga raketat balistike, Rusia nuk do ta marrë seriozisht çështjen e paqes,” theksoi Zelensky, i cili përsëriti “nevojën urgjente” për interceptues për sistemet Patriot.