Deputeti i zgjedhur i LDK-së, Armend Zemaj, ka deklaruar se partia fillimisht do të presë që kryetari Lumir Abdixhiku të prezantojë detajet e takimit të zhvilluar një ditë më parë me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, përpara se të marrë një qëndrim për hapat e mëtejshëm, raporton Ekonomia Online.
“Po ta shohim tash çka ka me paraqit zoti Abdixhiku nga takimi i djeshem me zotin Kurti dhe do të shohim bashkë me kolegët deputetë se cila do të jetë e ardhmja”, ka thënë ai.
Duke komentuar vështirësitë për arritjen e një marrëveshjeje ndërmjet dy partive, Zemaj u shpreh kritik ndaj qasjes së Kurtit, duke thënë se ajo nuk ka ndryshuar prej muajsh.
“Unë personalisht, atë çka kam thënë vazhdimisht, Kurti nuk ka ndryshim të qasjes së tij në raport me institucionet apo me kryetarin nga shkurti i këtij viti, jo vetëm nga zgjedhjet e mrama po kjo është qasja e tij, kjo është logjika e tij dhe besoj që është koxha e vështirë që të ecet tutje nëse nuk ndryshon diçka, nëse nuk pranohen realitetet e reja demokratike që institucionet nuk duhet t’i takojnë vetëm një pale ose një njeriu të udhëheqë me të gjitha institucionet në Republikën e Kosovës”, ka thënë Zemaj.
“Qëndrimet tona statutore nuk ka nevojë askush që me na i rikujtu me asnjë deklaratë tjetër. Jemi anëtarë të devotshëm LDK-së edhe me shumë vite përvojë. Po si do që të jetë, mendoj që një marrëveshje duhet të përmbajë partneritet dhe jo nënshtrim. Ndërsa nënshtrimin nëse dikush e pëlqen pozitën e vet para interesave të LDK-së, mendoj që është e gabuar”.
Sa i përket kushteve për një marrëveshje të mundshme, Zemaj tha se ajo duhet të garantojë stabilitet institucional dhe bashkëpunim të sinqertë.
“Marrëveshje që krijojnë stabilitet institucional, që ka partneritet të sinqertë dhe që nuk janë vetëm sa për sy e faqe ose sa për të përmbushur interesat e individit ose qëllimin e nënshtrimit të një partie mbi një parti tjetër”, ka thënë ndër të tjera Zemaj.

