Zendaya ka mahnitur publikun në premierën e filmit “The Odyssey” të Christopher Nolanit, duke u shfaqur si perëndesha Athena, roli i saj në film, krah bashkëshortit Tom Holland. Aktorja 29-vjeçare, e njohur si mbretëresha e “method dressing”, tregoi edhe një herë aftësinë për të lidhur veshjet e saj në tapetin e kuq me personazhet që luan.

Në premierën luksoze në Londër, Zendaya tërhoqi vëmendjen me dy dukje spektakolare. Fillimisht, ajo shkëlqeu me një fustan dramatik nga Schiaparelli, me një korse të strukturuar në formë parzmoreje, duke i dhënë pamjes një fuqi mitologjike, e kompletuar me një varëse. Ky fustan couture ishte prezantuar pak orë më parë në Javën e Modës Haute Couture në Paris. Më vonë, ajo ndryshoi me një fustan të gjelbër me dizajn gjethesh dhe fund prej shifoni, teksa pozoi me pjesën tjetër të kastit.

Krahas saj, ishte edhe bashkëshorti Tom Holland, i cili në film luan Telemakun, djalin e Odiseut. Çifti kishte konfirmuar martesën e tyre muajin e kaluar. Gjithashtu, Anne Hathaway, 43 vjeç dhe shtatzënë, shkëlqeu me një fustan të kaltër pa rripa, duke theksuar barkun e rrumbullakosur. Ajo luan Penelopën, gruan besnike të Odiseut.

“The Odyssey” është një adaptim i eposit të lashtë grek të Homerit nga regjisori fitues i Oscarit, Christopher Nolan. Filmi tregon udhëtimin e vështirë të mbretit Odise pas Luftës së Trojës për t’u kthyer në shtëpi te gruaja e tij Penelopa. Me një buxhet prej 250 milionë dollarësh dhe i xhiruar tërësisht me kamera IMAX 70mm, ky projekt konsiderohet si një nga më ambiciozët dhe më të shtrenjtët në karrierën e Nolanit. Matt Damon luan heroin kryesor, Odiseun, ndërsa kasti i gjerë përfshin edhe emra si Lupita Nyong’o, Robert Pattinson dhe Charlize Theron.

Megjithatë, filmi ka ngjallur polemika për shkak të zgjedhjeve të kastit. Elon Musk e cilësoi rolin e Lupita Nyong’o si Klitemnestra (motra e Helenës së Trojës) si “historikisht të pasaktë”. Në mbrojtje të vendimeve të tij, Nolan deklaroi se “përshkrimet më të hershme të personazheve homerike zakonisht janë bërë në mënyrën se si dukeshin njerëzit në kohën e Homerit”, duke shtuar se ka një bazë të fortë për këtë prezantim. Komentet e Musk u kritikuan gjithashtu nga prezantuesja Sunny Hostin dhe aktori Alec Baldwin, të cilët theksuan se çdo aktor mund të luajë një personazh imagjinar dhe akuzuan Musk për qëndrime raciste.

Me një kast të madh, buxhet gjigant dhe një histori mijëravjeçare, “The Odyssey” pritet të jetë një nga filmat më të komentuar dhe më të suksesshëm të vitit.