Dukagjini largon nëntë futbollistë, huazon tre të tjerë: Ndryshime të rëndësishme para sezonit të ri

Klubi i Superligës, Dukagjini, ka zyrtarizuar ndryshime të rëndësishme në përbërjen e skuadrës, pak para nisjes së sezonit të ri futbollistik.

Klubi nga Klina ka bërë publik vendimin për t’i dhënë fund bashkëpunimit me nëntë futbollistë, me marrëveshje të dyanshme. Lojtarët që largohen nga ekipi janë: Dardan Morina, Hekuran Berisha, Basit Khalid, Erlis Xhemajli, Albion Pllana, Eldonit Shaqiri, Donart Syla, Dimal Isufi dhe Besir Iseni.

Gjithashtu, është konfirmuar se Hekuran Berisha rikthehet te skuadra e Dinamos, pasi i ka përfunduar periudha e huazimit te Dukagjini.

Ndërkaq, tre futbollistë të tjerë – Lendrit Palucaj, Alpi Shahini dhe Hektor Krasniqi – janë huazuar për sezonin e ardhshëm, me qëllim që të sigurojnë më shumë minuta dhe hapësirë zhvillimi.

KF Dukagjini ka falënderuar të gjithë futbollistët për profesionalizmin, përkushtimin dhe kontributin e tyre me fanellën e klubit gjatë sezonit të kaluar, duke u uruar suksese në vazhdimësinë e karrierës.