Legjenda e futbollit brazilian, Ronaldinho, është bërë zyrtarisht pjesë e klubit italian Ravenna FC, që garon në Serie C.

Lajmi ka shkaktuar shumë reagime në botën e futbollit, pasi në fillim u interpretua si një rikthim i mundshëm i Ronaldinhos në fushën e lojës. Megjithatë, sipas informacioneve të publikuara nga klubi, roli i ish-fituesit të Topit të Artë nuk lidhet me rikthimin në futbollin profesionist.

Edhe pse detajet e plota të marrëveshjes nuk janë bërë ende publike, është bërë e qartë se Ronaldinho pritet të ketë një rol promovues dhe ambasadori për klubin italian, duke ndihmuar në rritjen e profilit dhe marketingut të Ravennës në arenën ndërkombëtare.

Braziliani, i cili i dha fund karrierës së tij profesionale vite më parë, mbetet një nga figurat më të dashura në historinë e futbollit. Emri i tij vazhdon të tërheqë vëmendje të madhe kudo në botë, ndaj Ravenna synon të përfitojë nga popullariteti i tij për të promovuar projektin e klubit.