Thellohet përçarja në LDK: Dega e Pejës kërkon dorëheqjen e drejtuesve
Dega e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) në Pejë ka kërkuar reflektim të thellë politik dhe marrjen e përgjegjësisë nga udhëheqja qendrore e partisë. Ky vendim vjen pas mbledhjes së Kryesisë së degës dhe analizës së rezultateve të zgjedhjeve të qershorit.
Nëpërmjet një njoftimi për media, dega e LDK-së në Pejë bën të ditur se anëtarët e Kryesisë, me shumicë votash, kanë kërkuar dorëheqjen e drejtuesve si një akt moral dhe politik. Ata vlerësojnë se përgjegjësia për rezultatin e dobët zgjedhor duhet të bartet nga udhëheqja e partisë.
Kryesia e degës thekson se një veprim i tillë është thelbësor për ruajtjen e besimit të anëtarësisë dhe forcimin e standardeve demokratike brenda partisë.
