**Gabim Shtypi çon në 18 Muaj Burg: Burri shpallet i pafajshëm pas Gjashtë Vitesh**
Një gabim i thjeshtë shtypi në një kërkesë zyrtare policie i kushtoi një burri të pafajshëm 18 muaj burg. Vetëm pas gjashtë vitesh, u zbulua se kjo padrejtësi kishte nisur nga mungesa e një karakteri në emrin e një përdoruesi dixhital.
Ngjarja e pazakontë nisi në vitin 2018, kur policia në shtetin amerikan të Wisconsinit hapi hetime pasi një person kishte shkëmbyer 125 mesazhe me një vajzë 12-vjeçare përmes aplikacionit “Kik”. Nëna e vajzës kishte zbuluar një fotografi intime në telefonin e së bijës, e dërguar nga i dyshuari, dhe kishte njoftuar autoritetet.
Hetuesit i kërkuan kompanisë “Kik” të identifikonte përdoruesin me emrin “fus_ro_dah”. Mirëpo, në kërkesën zyrtare u bë një gabim thelbësor: u shkrua vetëm një karakter nënvizimi (_), ndërkohë që llogaria e vërtetë e të dyshuarit kishte dy. Për pasojë, “Kik” i dërgoi autoriteteve adresën elektronike të një personi tjetër, Brandon Klayme, një shtetas kanadez pa asnjë lidhje me rastin.
Nga adresa elektronike, hetimet vazhduan drejt Google dhe më pas drejt një adrese IP në Kanada. Rasti iu transferua policisë kanadeze, e cila identifikoi lidhjen e internetit si pronë të Klayme.
Në vitin 2020, policia bastisi banesën e tij, duke sekuestruar telefona dhe kompjuterë. Analizat nuk zbuluan asnjë fotografi, asnjë bisedë ose ndonjë kontakt me vajzën. Hetuesit nuk arritën të provonin as përdorimin e aplikacionit “Kik” prej tij gjatë periudhës në fjalë.
Megjithatë, prokuroria ngriti akuza ndaj tij për komunikim seksual me të mitur. Brandon Klayme u arrestua, u shpall fajtor në vitin 2023 dhe në vitin 2024 u dënua me 18 muaj burg, dënim të cilin e vuajti plotësisht.
Vetëm gjatë përgatitjes së ankesës në vitin 2026, avokatët zbuluan gabimin fatal: emri i përdoruesit në kërkesën e policisë nuk përputhej me atë të autorit të vërtetë. Ky detaj kyç nuk ishte përmendur kurrë gjatë procesit gjyqësor dhe gjyqtari nuk kishte qenë në dijeni të tij.
Në fund të korrikut 2026, Gjykata e Apelit e Nova Scotias e shpalli Brandon Klayme plotësisht të pafajshëm, duke rrëzuar dënimin dhe të gjitha masat e vendosura ndaj tij.
“Brandon Klayme është vërtetuar se është i pafajshëm. Ai nuk duhej të ishte akuzuar, e aq më pak të ishte dënuar”, thuhet në njoftimin e gjykatës.
Sipas raportimeve të mediave, nëse policia do t’i kishte dërguar “Kik-ut” emrin e saktë të përdoruesit, hetimet do të kishin çuar te një person tjetër me emrin Jay, ndërsa gjurmët digjitale do të drejtonin drejt Kalifornisë.
Deri më tani nuk dihet nëse Brandon Klayme do të kërkojë dëmshpërblim për burgosjen e padrejtë, ndërsa fati i personit që dyshohet se përdorte llogarinë e vërtetë në “Kik” mbetet ende i panjohur.
