**Vrasja e babë e bir në Dukagjin: Detaje të reja, viktimat u qëlluan me rreth 50 plumba kallashnikovi**

Detaje të reja kanë dalë në dritë lidhur me ekzekutimin e Lekë dhe Prel Gjonit, babë e bir, ngjarje e ndodhur një ditë më parë në fshatin Mgull të Dukagjinit, Shkodër.

Dyshohet se automjeti fuoristradë, me të cilin udhëtonin dy viktimat dhe L.B., i cili mbeti i plagosur në atentat, u godit nga rreth 50 plumba kallashnikovi.

Babë e bir po udhëtonin nga fshati Mgull në drejtim të Shkodrës, kur u zunë në pritë në një kthesë pranë fshatit Xhan, rreth dy kilometra larg rrugës që lidh zonën e Pultit me Shoshin.

Pas breshërisë së armëve, Lekë dhe Prel Gjoni humbën jetën menjëherë në vendngjarje. Ndërkohë, L.B., i cili ndodhej në sediljen e pasme të automjetit, arriti të mbijetonte. Ai mori trajtimin fillestar në Spitalin Rajonal të Shkodrës dhe më pas u transportua drejt Tiranës për kujdes mjekësor më të specializuar.

Policia dyshon se në këtë atentat mund të kenë marrë pjesë më shumë se një person. Pas të shtënave, autorët dyshohet se u larguan me një automjet fuoristradë. Motivi i këtij krimi të rëndë ende nuk është përcaktuar.

Një nga pistat kryesore të hetimit është ajo e gjakmarrjes, pasi, sipas të dhënave paraprake, familja Gjoni ka qenë e përfshirë në një hasmëri disa vite më parë.