**Shpresë e re kundër kancerit të lëkurës: Vaksina e personalizuar parandalon rikthimin**

Një vaksinë e re, bazuar në teknologjinë mRNA, ka treguar rezultate premtuese në parandalimin e rikthimit të kancerit të lëkurës te pacientët gjatë një studimi klinik, duke shënuar një hap potencialisht vendimtar në trajtimin e kësaj sëmundjeje. Sipas raportimeve të BBC, kjo vaksinë, e zhvilluar nga kompanitë farmaceutike Merck & Co (ose MSD) dhe Moderna, u është administruar pacientëve me melanomë të lartë rreziku, një formë agresive e kancerit të lëkurës.

Ekspertët e onkologjisë e cilësojnë këtë një përparim domethënës, por theksojnë se nevojitet kujdes pasi rezultatet e plota nuk janë publikuar apo rishikuar ende nga kolegët. Vaksina, e quajtur Intismeran, u administrua në kombinim me Keytruda, një medikament imunoterapie që tashmë përdoret në trajtimin e kancerit.

Krahasuar me marrjen e Keytrudës si monoterapi, kompanitë deklaruan se administrimi i kombinuar i ilaçit dhe vaksinës rriti ndjeshëm periudhën pa rikthim të kancerit dhe zvogëloi rrezikun e përhapjes së sëmundjes në organe të tjera.

Faza e tretë e studimit përfshiu mbi 1,000 pacientë me melanomë të lartë rreziku, në fazat II, III ose IV – duke përfshirë raste nga tumore të mëdha të lokalizuara deri te ato që ishin përhapur në pjesë të tjera të trupit.

Për zhvillimin e kësaj vaksine unike, shkencëtarët shfrytëzuan teknologjinë mRNA, të ngjashme me atë të përdorur për disa vaksina kundër COVID-19. Procesi përfshin heqjen kirurgjikale të një pjese të vogël të tumorit të pacientit, sekuencimin e ADN-së së tij për të identifikuar mutacionet specifike të qelizave kancerogjene. Më pas, krijohet një injeksion kundër kancerit i personalizuar, specifik për tumorin e pacientit, i cili udhëzon sistemin imunitar të njohë dhe sulmojë çdo qelizë tumorale të mbetur.

Dy kompanitë po testojnë vaksina të tjera të ngjashme të personalizuara edhe për kancere të mushkërive, fshikëzës dhe veshkave. Dr. Talisia Quallo, drejtuese e parandalimit dhe zbulimit të hershëm në Cancer Research UK, vlerësoi se hulumtimi “tregon premtime të mëdha”, por përsëriti se të dhënat e ndërmjetme duhet të rishikohen plotësisht përpara se të nxirren konkluzione definitive.