Vërtetohet dënimi me 6 vjet burg për spiunazh ndaj Hysri Selimit
Gjykata e Apelit ka vërtetuar aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, duke lënë në fuqi dënimin me 6 vjet burgim për spiunazh ndaj Hysri Selimit. Ky vendim vjen pasi Apeli refuzoi si të pabazuara ankesat e të dyja palëve në proces.
Në vendimin e Gjykatës së Apelit, të datës 23 tetor 2026, thuhet se ankesat e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës dhe të mbrojtësit të Selimit, avokat Ali Beka, janë refuzuar si të pabazuara, ndërsa aktgjykimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë është vërtetuar.
Më parë, Gjykata Themelore në Prishtinë, më 15 qershor 2026, kishte shpallur aktgjykimin dënues ndaj Selimit, duke e gjetur fajtor për spiunazh dhe dënuar me 6 vjet burg.
Apeli ka konstatuar se aktgjykimi i Themelores nuk përmban shkelje thelbësore të dispozitave të procedurës penale që do të kërkonin anulimin e tij. Sipas Apelit, vendimi i shkallës së parë është i qartë, pa kundërthënie në arsyetim dhe i mbështetur në provat e administruara gjatë shqyrtimit gjyqësor. Apeli thekson se aktgjykimi i Themelores është hartuar në përputhje me Nenin 369 të Kodit të Procedurës Penale.
Provat e administruara treguan se Hysri Selimi kishte komunikuar me zyrtarë të Agjencisë së Inteligjencës dhe Sigurisë së Republikës së Serbisë (BIA), duke ndarë informacione mbi aktivitetet e pjesëtarëve të UÇK-së, vrasjet gjatë luftës, persona të radikalizuar, si dhe pjesëmarrjen e tyre në luftën në Siri.
Gjithashtu, është vërtetuar se Selimi ishte bërë pjesë e organizatës terroriste ISIS, pasi kishte udhëtuar për në Siri me mision nga BIA, për të informuar mbi numrin e pjesëmarrësve shqiptarë në ISIS. Edhe pas vuajtjes së një dënimi lidhur me pjesëmarrjen e tij në organizata terroriste, ai kishte vazhduar komunikimin dhe takimet e vazhdueshme me pjesëtarë të BIA-s në territorin e Serbisë.
Për këto veprime, Selimi paguhej deri në 700 euro në muaj dhe furnizohej me telefona të mençur nga BIA, me të cilët komunikonte me zyrtarët e saj.
Pretendimi i mbrojtjes se Selimi kishte vepruar në koordinim me personat përgjegjës të Agjencisë Kosovare të Inteligjencës (AKI) pas kthimit nga Siria, është refuzuar si i pabazuar në prova. Apeli vlerëson se nuk ekziston asnjë dëshmi që Selimi ishte rekrutuar nga AKI. Përkundrazi, hetimet ndaj tij kishin nisur pasi AKI e kishte denoncuar në polici dhe e kishte vëzhguar gjatë takimeve dhe komunikimeve me zyrtarët e BIA-s.
Në deklaratën e tij në Prokurori, Selimi nuk e kishte përmendur bashkëpunimin me AKI-n apo ndonjë udhëzim nga ana e saj. Ai kishte pranuar bashkëpunimin e tij me BIA-n serbe ndër vite, duke pranuar çdo veprim dhe pagesat që kishte marrë, si dhe kishte shprehur pendim. Megjithatë, në asnjë pjesë të deklarimit nuk kishte theksuar se ishte udhëzuar nga AKI për të ndërmarrë veprimet për të cilat akuzohej.
Në vendimin e Apelit, sqarohet se vepra penale e spiunazhit nuk kërkon ndarjen e informacioneve të klasifikuara, por thjesht hyrjen në një shërbim informativ të huaj, mbledhjen e të dhënave, apo ndihmën në punën e tillë. Në rastin konkret, elementet e kësaj vepre janë përmbushur me vetë hyrjen dhe ndarjen e informacioneve sipas udhëzimeve të BIA-s.
Pretendimet e Prokurorisë Speciale për një dënim më të ashpër janë vlerësuar gjithashtu si të pabazuara.
