**Nëntë vjet nga rënia e Qeverisë Mustafa përmes mocionit të mosbesimit**
Sot shënohen nëntë vjet nga votimi i mocionit të mosbesimit, i cili rrëzoi Qeverinë e Kosovës të udhëhequr nga Isa Mustafa. Ky mocion, i iniciuar nga opozita, gjeti mbështetjen vendimtare të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK).
Mocioni u miratua me 78 vota pro, 34 kundër dhe 3 abstenime, duke shënuar fundin e ekzekutivit Mustafa. Vota e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) për mocionin shënoi edhe prishjen e koalicionit me Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK) dhe kryeministrin Mustafa.
PDK e arsyetoi vendimin duke theksuar se qeveria kishte humbur fuqinë vendimmarrëse, veçanërisht pas dështimit të ratifikimit në Kuvend të marrëveshjes së demarkacionit të kufirit me Malin e Zi.
Nga ana tjetër, deputetët e LDK-së e cilësuan veprimin e PDK-së si një skenar të përgatitur paraprakisht në bashkëpunim me opozitën. Seanca parlamentare u shoqërua me debate të ashpra, akuza dhe polemika mes deputetëve të dy partive që deri atëherë ishin partnere në koalicionin qeverisës.
Ndërkohë, partitë opozitare e konsideruan këtë ditë si një fitore kundër qeverisë. Pas votimit, Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, dekretoi shpërndarjen e Kuvendit të Kosovës. “Pas pranimit të njoftimit zyrtar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës, Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka dekretuar shpërndarjen e legjislaturës së pestë”, u tha në njoftimin për media.
Qeveria Mustafa ishte formuar më 9 dhjetor 2014, si rezultat i një koalicioni mes PDK-së dhe LDK-së, i mbështetur edhe nga Lista Serbe dhe partitë e komuniteteve joserbe, me 73 vota të deputetëve. Ky koalicion bazohej në ndarjen e pushtetit, ku PDK-ja drejtonte institucionet e Presidentit dhe Kryetarit të Kuvendit, ndërsa LDK-ja postin e Kryeministrit.
Përveç premtimeve për zhvillim ekonomik, uljen e papunësisë dhe përmirësimin e mirëqenies, kjo qeveri kishte marrë edhe zotime ndërkombëtare. Këto përfshinin themelimin e Gjykatës Speciale, vazhdimin e dialogut me Serbinë dhe zbatimin e marrëveshjeve, sidomos atë për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, si dhe ratifikimin e marrëveshjes së demarkacionit të kufirit me Malin e Zi, një kusht kyç për liberalizimin e vizave.
