Një person ka pësuar lëndime pas një sulmi që dyshohet se ka ndodhur me shishe qelqi në një kafiteri në Zubin Potok.

Sipas Policisë së Kosovës, rasti është raportuar sot rreth orës 00:35. Njësitet policore që kanë dalë në vendin e ngjarjes kanë takuar viktimën, e cila kishte lëndime në pjesën e ballit.

Dyshohet se lëndimet janë shkaktuar nga një mjet i mprehtë, konkretisht shishe qelqi. Viktima ka pranuar tretman mjekësor dhe më pas është intervistuar nga policia.

Në vendin e ngjarjes është arrestuar edhe personi i dyshuar, i cili sipas policisë ka qenë nën ndikim të alkoolit. Pas kalimit të gjendjes së dehjes, ai është intervistuar dhe në konsultim me Prokurorin e Shtetit është iniciuar rasti “Lëndim i lehtë trupor”.

Pas intervistimit, i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt, ndërsa hetimet për rastin po vazhdojnë.

Policia e Kosovës ka theksuar se mbetet e përkushtuar në luftimin e dhunës dhe garantimin e sigurisë për qytetarët, duke inkurajuar raportimin e rasteve të ngjashme./IndeksOnline/