Zvicër: 356.000 euro të fshehura në tren, një shtetas zviceran nën hetim për pastrim parash
Gjatë një kontrolli rutinë në pikën kufitare të Buchsit, në kantonin St. Gallen, punonjësit e Zyrës Federale për Doganat dhe Sigurinë Kufitare kanë sekuestruar një shumë të madhe parash të padeklaruara.
Një shtetas zviceran 50-vjeçar, i cili po udhëtonte me tren nga Salzburgu i Austrisë drejt Zürichut, u kap duke mbajtur gjithsej 356.000 euro. Paratë ishin të shpërndara në disa zarfe, siç njofton gazeta “Blick”.
Në momentin e ndalimit, i dyshuari fillimisht deklaroi se nuk kishte me vete as mallra e as para kesh, duke pretenduar se po udhëtonte pa bagazh.
Megjithatë, gjatë kontrollit në vagonin e trenit, zyrtarët kufitarë zbuluan një çantë të fshehur nën ulëse. Brenda saj u gjetën pesë zarfe të mbyllura dhe një kuletë, të mbushura me shumën e konsiderueshme të parave.
Pas zbulimit të parave, 50-vjeçari ndryshoi dëshminë duke thënë se thjesht po transportonte shumën me porosi të një personi tjetër.
Meqenëse shpjegimet e tij mbi origjinën dhe qëllimin e përdorimit të këtyre parave rezultuan kundërthënëse dhe të pabesueshme, autoritetet ngritën dyshime të arsyeshme për veprime që lidhen me pastrim parash ose financim terrorizmi.
Shuma e parave kesh u konfiskua menjëherë nga autoritetet, ndërsa hetimet e mëtejshme për zbardhjen e plotë të çështjes i janë kaluar Policisë Kantonale të St. Gallenit.
Në Zvicër, ligji nuk parashikon ndonjë kufizim për sasinë e parave kesh që mund të futen në vend. Megjithatë, çdo person që mban me vete shuma më të mëdha se 10.000 franga zvicerane është i detyruar me ligj që, pas kërkesës së autoriteteve, të jetë në gjendje të vërtetojë origjinën e parave, pronarin e tyre të ligjshëm, si dhe qëllimin e përdorimit.
Burimi: Telegrafi
