Artan Behrami: Lëvizja Vetëvendosje nuk u distancua asnjëherë nga dhuna politike dhe kauzat e rreme
Kandidati për deputet nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Artan Behrami, ka deklaruar gjatë një debati televiziv se Lëvizja Vetëvendosje (LVV) nuk është distancuar asnjëherë nga metodat dhe kauzat, përmes të cilave, sipas tij, erdhi në pushtet.
Behrami theksoi se Vetëvendosje nuk është shkëputur nga “dhuna politike”, gazi lotsjellës dhe, siç i quajti ai, “tentim-atentatet për kauza të rreme”. Ai shtoi se Lëvizja Vetëvendosje nuk është distancuar kurrë nga këto metoda, si dhe nga kauzat e rreme që, sipas tij, i mundësuan ardhjen në pushtet.
Më tej, Behrami vuri në dukje se shumë prej çështjeve për të cilat Lëvizja Vetëvendosje kishte protestuar ndër vite, nuk kanë pësuar asnjë ndryshim pas ardhjes së saj në qeveri.
“Sot, për të gjitha ato për të cilat kanë protestuar – asnjë nuk është bërë. Asnjë nuk është zhbërë. I njëjti demarkacion, e njëjta fusnotë, e njëjta pako e Ahtisaarit. Pa bashkim kombëtar”, citoi Behrami.
Në përfundim të deklaratës së tij, Artan Behrami i bëri thirrje publikut për mbështetje ndaj Partisë Demokratike të Kosovës dhe kandidatëve të saj në zgjedhjet e ardhshme.
