Prindon Sadriu reagon ashpër ndaj Konjufcës: Mentaliteti juaj “karateist”, Vjosa do të kujtohet si Presidente, ju për këtë tallje

Prindon Sadriu, bashkëshorti i Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar ashpër ndaj deklaratës së ministrit të Jashtëm në detyrë, Glauk Konjufca, i cili në një video të publikuar dje dëgjohet duke qeshur dhe duke përdorur fjalën “frizerkë”. Ky koment ka nxitur reagime të shumta në opinion, ndërsa Sadriu thekson se Osmani do të kujtohet si Presidente, ndërsa Konjufca për këtë tallje.

Në videon e diskutueshme, Konjufca shihet duke qeshur teksa përmend termin “frizerkë”, një veprim që ka shkaktuar zemërim të gjerë.

Në reagimin e tij të plotë të shpërndarë në rrjete sociale, Sadriu thekson se “kjo tallje nuk ka të bëjë vetëm me Vjosën. Dhe nuk ka të bëjë vetëm me frizeret. Ka të bëjë me çdo vajzë të re në Kosovë që e pa atë video dhe, në heshtje, uli kokën dhe ambiciet e veta.” Ai shtoi se kjo lidhet me çdo grua që punon me duart, mendjen dhe shpirtin e saj, dhe që tani e di se çfarë mendon vërtet një burrë në pushtet për të.

Sadriu mbrojti me forcë figurën e bashkëshortes së tij, duke theksuar se Vjosa Osmani është një grua me doktoraturë në Drejtësi në njërin nga universitetet më të njohura amerikane, me përvojë ligjërimi në universitete me renome ndërkombëtare për gati dy dekada. Ai kujtoi se ajo ka shërbyer si Presidente e Kosovës dhe është cilësuar nga zyrtarë të lartë amerikanë, përfshirë Këshilltarja për Siguri Kombëtare e SHBA-së dhe ish-Sekretarja Amerikane e Shtetit, si “frymëzim për gratë dhe vajzat, jo vetëm në Kosovë, por në mbarë botën”.

Ai kritikoi ashpër “mentalitetin karateist” të Konjufcës, duke thënë se ky veprim flet më shumë për të sesa për Vjosën apo profesionin e frizeres. Sadriu e cilësoi këtë sjellje si mizogjene, ku Konjufca, sipas tij, “kërkon votën e grave dhe, në të njëjtin hap e çast, profesionin e tyre ta përdorë si armë kundër një gruaje tjetër.”

Duke iu përgjigjur mundësisë së komenteve ndaj tij, Sadriu ndau edhe historinë e tij personale, duke treguar se një nga punët e tij të para si mërgimtar ishte shpërndarja e picave, një punë të cilën e kreu me ndershmëri dhe dinjitet. “Fare nuk turpërohem nga vendi ku kam nisur. Jam krenar për të,” shkroi ai, duke theksuar vlerën e punës së ndershme si bazë për ndërtimin e karakterit dhe respektit.

Ai paralajmëroi Konjufcën se pushteti në duart e dikujt që tall gratë që përfaqëson, nënçmon punën e njerëzve që pretendon se u shërben dhe qesh me ambicien e tyre “nuk është lidership, por paralajmërim.”

Sadriu e mbylli reagimin me një mesazh të qartë: “Vjosa Osmani do të kujtohet si Presidente. Frizeret, dhe rrobaqepëset, dhe kujdestaret dhe pastrueset, dhe mësueset, dhe infermieret e Kosovës do të kujtohen si njerëzit që e ndërtuan këtë vend me duart e tyre, ndërsa të tjerë ndërtuan karrierë me gojën e tyre. Po ti, Glauk? Do të kujtohesh për këtë tallje.” Ai theksoi se gratë, vajzat dhe historia nuk po qeshin si Konjufca.