Më 6 qershor zhvillohet votimi në 30 përfaqësi diplomatike të Kosovës

Më 6 qershor, një ditë para ditës së zgjedhjeve në Kosovë, shtetasit kosovarë që jetojnë në 18 shtete të ndryshme të botës do të kenë mundësinë të votojnë në përfaqësitë diplomatike të vendosura atje.

Ky është rasti i tretë që Kosova organizon votimin fizik në një numër të madh shtetesh ku është përqendruar kryesisht mërgata. Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valmir Elezi, bëri të ditur se më 6 qershor do të hapen qendrat e votimit në 30 përfaqësi diplomatike të Kosovës, për të mundësuar votimin e mbi 27.724 shtetasve kosovarë, të cilët janë regjistruar dhe kanë zgjedhur këtë mënyrë votimi.

“Më 6 qershor, procesi i votimit për zgjedhjet e Kuvendit të Kosovës do të zhvillohet në 17 ambasada dhe 13 konsullata, të shpërndara në 18 shtete të ndryshme të botës. Sipas kohës lokale, votimi do të fillojë së pari në ambasadën në Ankara dhe në konsullatën e Kosovës në Stamboll, për të vazhduar me hapjen e qendrave të tjera në përfaqësitë diplomatike të vendosura në shtetet e Evropës. Në fund, votimi do të mbyllet në SHBA dhe Kanada, ku do të hapen për votim ambasadat në Uashington dhe Otavë, si dhe konsullatat në Nju Jork dhe Toronto,” deklaroi Elezi.

Elezi shpjegoi edhe ndryshimet që shoqëruan procesin e përcaktimit të përfaqësive diplomatike ku do të zhvillohet votimi fizik. Fillimisht, KQZ-ja kishte planifikuar që votimi të organizohej në 48 përfaqësi diplomatike, por ky numër u reduktua në 30, pasi në 18 prej tyre numri i votuesve të regjistruar ishte nën 50. “Sipas Rregullores Zgjedhore për Regjistrimin dhe Votimin Jashtë Kosovës, nëse numri i votuesve të regjistruar për votim në një përfaqësi diplomatike është nën 50, votimi fizik në atë përfaqësi diplomatike nuk organizohet, ndërsa votuesit e regjistruar do të kalojnë automatikisht në statusin e votuesve me anë të postës dhe do të njoftohen për këtë nga KQZ-ja. Në përgjithësi, numri i votuesve të regjistruar në këto 18 përfaqësi diplomatike, ku nuk do të ketë votim fizik, është më pak se 100. Të gjithë këta votues do të mund të votojnë përmes postës, një proces që ka nisur më 21 maj dhe përfundon më 6 qershor,” sqaroi Elezi.

Procesi i votimit më 6 qershor do të zhvillohet në këto përfaqësi diplomatike:
1. Gjermani (Berlin – ambasadë; Frankfurt – konsullatë; Hamburg – konsullatë; Mynih – konsullatë; Shtutgart – konsullatë; Dyseldorf – konsullatë)
2. Zvicër (Bernë – ambasadë; Gjenevë – konsullatë; Cyrih – konsullatë)
3. Britani e Madhe (Londër – ambasadë)
4. Francë (Paris – ambasadë; Strasburg – konsullatë)
5. Belgjikë (Bruksel – ambasadë)
6. Shtetet e Bashkuara të Amerikës (Uashington – ambasadë; Nju Jork – konsullatë)
7. Norvegji (Oslo – ambasadë)
8. Austri (Vjenë – ambasadë)
9. Kanada (Otavë – ambasadë; Toronto – konsullatë)
10. Suedi (Stokholm – ambasadë)
11. Slloveni (Lubjanë – ambasadë)
12. Danimarkë (Kopenhagë – konsullatë)
13. Itali (Romë – ambasadë; Milano – konsullatë)
14. Turqi (Ankara – ambasadë; Stamboll – konsullatë)
15. Kroaci (Zagreb – ambasadë)
16. Holandë (Hagë – ambasadë)
17. Republika Çeke (Pragë – ambasadë)
18. Hungari (Budapest – ambasadë)

Sipas Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, procesi i votimit jashtë vendit zhvillohet para ditës së zgjedhjeve në Kosovë dhe ndahet në dy pjesë kryesore: votimi me postë, i cili nisi më 21 maj dhe përfundon më 6 qershor, me rreth 105 mijë qytetarë të regjistruar. Ndërkaq, votimi fizik në përfaqësitë diplomatike organizohet një ditë para ditës së zgjedhjeve në Kosovë, po ashtu më 6 qershor.