Ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka mirëpritur Raportin e Departamentit Amerikan të Shtetit për Kongresin, i cili trajton politikën e SHBA-së për promovimin e stabilitetit dhe prosperitetit në Ballkanin Perëndimor.

Sipas Maqedoncit, ky raport nënvizon mbështetjen e vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për zhvillimin dhe transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) në një forcë moderne, profesionale dhe multietnike të mbrojtjes territoriale.

Maqedonci theksoi se ky vlerësim është një dëshmi e qartë e progresit të Kosovës në forcimin e kapaciteteve mbrojtëse, në harmoni me standardet euro-atlantike dhe në partneritet të ngushtë me SHBA-në dhe aleatët. Ai shtoi se mbështetja amerikane ka qenë dhe mbetet vendimtare në ndërtimin e një force të aftë për mbrojtjen e sovranitetit, integritetit territorial dhe sigurisë së qytetarëve të Kosovës.

Ministri Maqedonci vlerësoi gjithashtu njohjen e rolit të Kosovës si kontribuese në sigurinë ndërkombëtare. Ai theksoi se angazhimi i Kosovës në përpjekjet shumëkombëshe për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit dëshmon se ajo është një partner i besueshëm dhe kontribuues aktiv në sigurinë rajonale e globale, duke shënuar një transformim nga konsumues në ofrues të sigurisë.

Ai përfundoi duke ritheksuar zotimin e Republikës së Kosovës për të vazhduar investimet në zhvillimin e kapaciteteve mbrojtëse, forcimin e bashkëpunimit me aleatët strategjikë dhe avancimin e aspiratës për integrim të plotë euro-atlantik.