Kryeministri Albin Kurti viziton FC Malisheva, premton mbështetje për infrastrukturën sportive
Kryeministri në detyrë Albin Kurti, së bashku me ministren në detyrë të Ekonomisë, Artane Rizvanolli, si dhe kandidatët për deputetë Gani Krasniqi, Valon Hoti e Bylbyl Sokoli, vizituan të hënën klubin e futbollit “FC Malisheva” dhe stadiumin “Liman Gegaj”.
Kryeministri Kurti theksoi se mbështetja për përmirësimin e infrastrukturës sportive do të jetë prioritet. Ndër projektet e rëndësishme është edhe ndriçimi i fushës, i cili do të mundësojë zhvillimin e ndeshjeve edhe në oraret e mbrëmjes.
Kryeministri përgëzoi klubin për arritjet e tij, duke deklaruar: “FC Malisheva po shënon një progres të dukshëm, duke kaluar nga suksesi në kampionatin vendor drejt garave ndërkombëtare. Vendi i tretë sivjet në Superligë dhe kualifikimi i tretë me radhë në UEFA Conference League. Përgëzime dhe shumë suksese në përfaqësimin e shtetit tonë në këtë ngjarje sportive.”
