Kandidati për deputet, Bardhyl Hasanpapaj, i është përgjigjur publicistit Veton Surroi lidhur me tetë pikat e ngritura për kushtetutshmërinë e dekretit të Presidentes Vjosa Osmani, duke paraqitur një sqarim të detajuar mbi interpretimin e aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese.

 Në reagimin e tij, Hasanpapaj thekson se debati kryesor nuk lidhet me efektin juridik të dekretit, por me atë nëse është konstatuar apo jo shkelje e Kushtetutës nga Presidentja, duke argumentuar se Gjykata nuk ka gjetur asnjë shkelje.

Sipas tij, vendimi i Gjykatës nuk e rrëzon arsyetimin kushtetues të Presidentes, por përkundrazi e trajton atë në kontekst të rrethanave të jashtëzakonshme institucionale dhe politike, duke mos e cilësuar si shkelje kushtetuese.

Shkrimi i plotë i Hasanpapajt:

Sqarim në 8 pika lidhur me 8 pikat e z. Veton Surroit përkitazi me deklarimin e Presidentes Vjosa Osmani për kushtetutshmërinë e dekretit të saj bërë në KTV:

1. Debati nuk është nëse dekreti prodhoi efekt juridik, por nëse Presidentja e shkeli Kushtetutën. Gjykata Kushtetuese nuk konstatoi asnjë shkelje. Kjo është pika që nuk mund të humbet në lexim dhe as interpretim.

2. Në të drejtën kushtetuese ekziston dallim themelor ndërmjet një akti pa efekt juridik dhe një akti që përbën shkelje të Kushtetutës. Gjykata e tha të parën; nuk e tha të dytën.

3. Kushtetuta e Kosovës njeh madje edhe kategorinë e “shkeljes së rëndë”. Në këtë rast, Gjykata jo vetëm që nuk konstatoi shkelje të rëndë (siç ka bërë tashmë në jurisprudencën e saj), por nuk konstatoi fare shkelje.

4. Pretendimi se Gjykata rrëzoi arsyetimin e Presidentes nuk qëndron. Aktgjykimi konfirmon pikërisht premisën e saj themelore: Presidenti duhet të zgjidhet të paktën 60 ditë para skadimit të mandatit të Presidentit në detyrë.

5. Gjykata nuk e gjeti të gabuar vlerësimin kushtetues të Presidentes. Ajo trajtoi vetëm rrethanat e jashtëzakonshme të krijuara nga zgjedhjet e parakohshme dhe konstituimi i vonuar i Kuvendit, që vetëm ish partia në pushtet dinë t’i krijojë.

6. Afati 34-ditor nuk ishte korrigjim i një shkeljeje kushtetuese, por zgjidhje për një situatë kushtetuese të jashtëzakonshme që Kushtetuta nuk e kishte parashikuar shprehimisht.

7. Po të kishte pasur shkelje kushtetuese, Gjykata do ta kishte thënë këtë. Gjykatat kushtetuese nuk komunikojnë shkelje përmes insinuatave, por përmes konstatimeve. Gjykatat kushtetuese nuk fshehin konstatimet e shkeljeve pas formulave diplomatike. Ato i shkruajnë qartë ato në dispozitiv dhe arsyetim. Ky është një element qendror i gjykimit të drejtë dhe, për pasojë, themeli i sundimit të ligjit.

8. Prandaj, Gjykata e pranoi saktësinë e vlerësimit kushtetues të Presidentes, por për shkak të rrethanave të jashtëzakonshme zgjodhi një rrugë tjetër, të nuancuar, për zbatimin e tij. Mes “dekreti nuk pati efekt juridik” dhe “Presidentja e shkeli Kushtetutën” qëndron një dallim i madh që aktgjykimi e ruan me kujdes profesional e me të drejtë dhe që interpretimet politike nuk mund ta fshijnë. Përfundimisht, Gjykata ka ratifikuar si saktësinë faktike ashtu dhe materiale të gjykimit të Presidentes Osmani