**ZRRE: Tarifat e energjisë mbeten të pandryshuara deri në vendimin përfundimtar**

Kanë kaluar dy muaj që prej se tre operatorët kryesorë të sektorit energjetik në vend – KEDS, KESCO dhe KOSTT – kanë dorëzuar kërkesat për rritjen e tarifave të energjisë elektrike në Zyrën e Rregullatorit për Energji (ZRRE). Këto kompani kanë kërkuar një rritje prej mbi 20 për qind.

Megjithëse jemi vetëm dy ditë para datës 1 prillit, kur ZRRE-ja zakonisht shqyrton dhe përcakton tarifat e energjisë, kryetari i Bordit të ZRRE-së, Ymer Fejzullahu, i ka bërë të ditur portalit Ekonomia Online se tarifat aktuale do të mbeten në fuqi. Kjo do të vazhdojë deri në publikimin e raportit përfundimtar dhe përmbylljen e procesit të konsultimit publik.

Fejzullahu theksoi se ende nuk ka asnjë vendim, pasi pritet publikimi i raportit përfundimtar. “Jo, ende nuk ka. Presim që raportet të publikohen gjatë javës. Më pas do të ketë një periudhë dyjavore të diskutimit publik, dhe atëherë do të mund të nxjerrim një qëndrim,” tha ai.

Ai sqaroi se pas publikimit të raportit do të ketë një afat shtesë prej 14 ditësh. Pas shqyrtimit të ankesave ose komenteve, do të merret vendimi përfundimtar. “Së pari, raporti duhet të publikohet. Tani ai do të dalë në konsultim publik, një periudhë dyjavore e cila është obligim ligjor. Pas këtyre dy javëve, nëse ka komente nga palët, atëherë do të merret vendimi,” u shpreh ai.

Fejzullahu ritheksoi se tarifat do të mbeten të njëjta edhe pas 1 prillit. “Prandaj, raporti i stafit do të dalë tani dhe ata do ta vlerësojnë. Pas këtij raporti, duhen edhe komentet e palëve, dhe vendimi do të merret më vonë. Në këtë fazë, çështja është ende në shqyrtim nga departamentet; ne nuk kemi, si të thuash, qasje në këtë fazë vendimmarrjeje. Pra, më 1 prill, tarifat ekzistuese do të mbeten në fuqi deri në marrjen e vendimit të ri,” shtoi ai.

Ndërkohë, KESCO ka propozuar një rritje mbi 20 për qind për vitin 2026, duke e arsyetuar këtë me rritjen e kostove operative dhe nevojën për të siguruar furnizim të qëndrueshëm me energji elektrike.