Njësia A3 e Termocentralit “Kosova A” është rikthyer në prodhim, duke u sinkronizuar me sistemin energjetik rreth orës 10:00 të mëngjesit. Këtë e ka njoftuar sot Korporata Energjetike e Kosovës (KEK).

Sipas KEK-ut, kthimi në operim i njësisë A3 vjen pas riparimit të rrjedhjeve të identifikuara në sistemin gypor të kazanit të saj, si dhe përfundimit me sukses të aktiviteteve të tjera teknike. Korporata thekson se ky arritje është falë “angazhimit të jashtëzakonshëm, profesionalizmit dhe përkushtimit të punonjësve dhe stafit teknik të TC Kosova A, të cilët punuan pa ndërprerje për rikthimin e saj në operim në një kohë rekord”.

Aktualisht, njësia A3 operon në gjendje stabile, ndërsa kapacitetet e saj prodhuese tashmë janë vënë në shërbim të sistemit, duke kontribuar në forcimin e sigurisë së furnizimit me energji elektrike dhe stabilitetit të sistemit energjetik të vendit. Kjo arritje, sipas KEK-ut, dëshmon sërish ekspertizën, përvojën dhe gatishmërinë e ekipeve profesionale të korporatës për të adresuar me efikasitet sfidat operative dhe për të garantuar funksionimin e sigurt, të qëndrueshëm dhe të besueshëm të kapaciteteve gjeneruese.

Paralelisht me operimet e përditshme, KEK thekson se po vazhdon me sukses zbatimin e programit më të madh investiv në sektorin energjetik në katër dekadat e fundit, me projekte strategjike në vlerë prej qindra milionë eurosh.

Këto investime përfshijnë modernizimin e njësive B1 dhe B2 në TC Kosova B, avancimin e procedurave për fillimin e rehabilitimit dhe modernizimit të thellë të njësisë A3 në TC Kosova A, si dhe zhvillimin e projektit të parkut solar me kapacitet prej 100 megavatësh (MW). Përmes këtyre investimeve, KEK-u po ndërton kapacitete më moderne, më efikase dhe më të qëndrueshme, duke forcuar sigurinë energjetike të Kosovës dhe duke krijuar bazat për një të ardhme energjetike më të gjelbër, më të sigurt dhe më të qëndrueshme për qytetarët.